Çifti i masakruar/ Ish-e dashura e Taulantit: Nuk i pashë...

Taulant Pasho, djali i Shpëtim dhe Teuta Pashos, mbetet i dyshuari kryesor në lidhje me vrasjen e prindërve të tij. Trupat e tyre u gjetën të shpërndarë në katër valixhe pranë burgut të Soliçianos në Firence të Italisë.

Taulant Pasho aktualisht ndodhet në burgim në Zvicër dhe është personazhi kryesor që mund të zbardhë detaje se çfarë ka ndodhur me prindërit e tij.

Ndërkohë ka reaguar edhe ish-e dashura e Taulantit, Elona. Sipas gazetës La Nazione, ajo ka thënë se nuk është personi i fundit që ka parë çiftin Pasho.

“Thjesht shkruaj se nuk jam personi i fundit që i kam parë ata. Për të tjerat të flasin me avokatin tim,” thotë Elona.

Elona jetonte me Taulantin në banesën ku u gjetën 6 kg marijuanë, të cilat e dërguan në burg Taulantin. Fqinjët kishin lajmëruar për një erë të rëndë dhe policia gjeti drogën pas kontrollit.

Por ditën e 2 nëntorit, kur Taulanti do të lirohej nga burgu, Elona duhej të priste prindërit e tij në apartament që të shkonin së bashku për të pritur daljen nga qelia.

Në fakt, ditën kur Taulanti u lirua nga burgu, atje ishte vetëm ajo. Prindërit nuk u shfaqën.

Në një bisedë me avokaten e tij më vonë, Taulanti kishte shprehur shqetësim për zhdukjen e prindërve. A ishte kjo një lojë? A është e implikuar mafia në vrasjen e çiftit për llogari droge? Apo është një krim brenda familjes?

Misteri vazhdon.