Raporti i TI – Risk i lartë korrupsioni edhe te Ministria e Mbrojtjes

Raporti i Transparency International shpreh shqetësimin për shtigjet e abuzimit duke e shndërruar Ministrinë e drejtuar nga Olta Xhaçka si një institucion të ekspozuar ndjeshëm ndaj korrupsionit. Nuk ka transparencë për mënyrën e zhvillimit të tenderave apo dhe menaxhimin e fondeve. Në prillin e këtij viti opozita akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes për procedurat në kundërshtim me ligjin përgjatë periudhës së pandemisë. Gjithashtu, akuza ka pasur dhe për përdorimin e helikopterëve të ushtrisë, për të zhvilluar fushatë elektorale në Dibër, ku zonja Xhaçka është drejtuese politike e qarkut.

Transparency International e konsideron Shqipërinë si një vend me një ekspozim të madh ndaj korrupsionit në sektorin e mbrojtjes. Tenderat sekretë, menaxhimi i financave dhe aseteve, zhvillimi i operacioneve kanë krijuar një praktikë e cila lë hapësira për risk të lartë korruptimi. Në vitin 2020, Ministria e Mbrojtjes u vu në qendër të akuzave në lidhje me tenderat që zhvilloheshin atje. Përpara disa kohësh, ministrja Olta Xhaçka u akuzua se ka përdorur helikopterët e institucionit, për të zhvilluar fushatë elektorale në Dibër. Duket se ky institucion i lënë disi në hije për shkak të skandaleve të tjera, nuk ndryshon nga sektorë të tjerë të qeverisjes kur bie fjala për abuzimet me fondet. Raporti
Në raportin me titull “Qeverisja në Sektorin e Mbrojtjes në Evropën Qendrore dhe Lindore”, në lidhje me monitorimin e punës në ministritë e mbrojtjes në vendet e Evropës lindore, Shqipëria shfaq nivel të lartë risku veçanërisht në dy kategori, prokurimet dhe menaxhimin e financave. Redion Qirjazi nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim thotë se “Studimi mbulon periudhën 2018-2019 dhe vjen në një kohë kur kriza ekonomike, politike dhe shoqërore në Shqipëri (fatkeqësitë natyrore, unipolariteti politik, COVID-19 dhe kriza ekonomike shoqëruese) e kanë zhvendosur vëmendjen larg këtij sektori, ndonëse shumë i rëndësishëm për politikën ekonomike, të sigurisë dhe atë të jashtme të vendit.

Problematika e evidentuar në raport thekson nevojën për të mos e lënë “në hije” këtë sektor të rëndësishëm dhe për t’u riangazhuar me nevojat e tij me qëllim zbutjen e riskut ndaj korrupsionit dhe praktikave të këqija të qeverisjes”. Raporti shpreh shqetësimin se në kushtet e një menaxhimi të dobët financiar dhe të prokurimeve pa mbikëqyrje të fortë të jashtme, risku i korrupsionit në sektorin e mbrojtjes mund të shumëfishohet, sidomos duke marrë parasysh që vende si Shqipëria janë angazhuar për të përmbushur objektivin e NATO-s për të rritur shpenzimet mbi prokurimet në të paktën 20% të buxhetit të mbrojtjes.

Tenderat sekretë

TI ka paralajmëruar dhe mbi mundësinë e abuzimit me tenderat sekretë, një skandal që më pas plasi përgjatë kohës së pandemisë, dhe Ministria e Mbrojtjes është futur nën hetim për këtë çështje. Në Shqipëri thotë raporti, Ministria e Mbrojtjes nuk publikon buxhetin e saj dhe version i nxjerrë nga Ministria e Financave është tepër i përgjithshëm dhe ofron pak vizibilitet dhe justifikim mbi shpenzimet në Ministrinë e Mbrojtjes. “Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ofrojnë gjithashtu një akses të kufizuar në informacion rreth sektorit të mbrojtjes duke abuzuar me rregullat e klasifikimit të informacionit”.

Ndërsa flet në lidhje me këtë fenomen në vendet e Evropës lindore Raporti thotë se shumica e prokurimeve është përjashtuar plotësisht nga mbikëqyrja e jashtme, duke krijuar një situatë ku qeveria shpërndan kontrata me vlerë miliona dollarë praktikisht pa kontroll duke krijuar një terren kritik për rritjen e korrupsionit.

“Në Shqipëri, Agjencia e Prokurimit Publik nuk ka fuqi për të shqyrtuar me kujdes procedurat e prokurimit dhe proceset standarde të tyre të përcaktuara në mënyrë të paqartë kur bëhet fjalë për tenderat që lidhen me sigurinë kombëtare. Mënyra e procedurës që aplikohet është e pajustifikuar në shumë raste dhe i mungon mbikëqyrja.

Për më tepër, ndërsa ligji i prokurimit publik detyron qeverinë të miratojë aktet nënligjore për rregullimin e tyre prokurimet lihen mënjanë”, thotë raporti duke shtuar se aksesi publik mbi sektorin e mbrojtjes vijon të jetë nën kërcënim në Evropën Qendrore dhe Lindore për shkak të tendencave për të mbiklasifikuar informacionin institucional.

Akuzat për tendera dhe udhëtime

Në prillin e kaluar PD dorëzoi në SPAK një kallëzim penal për ministren Olta Xhaçka në lidhje me ato që quhen tendera sekretë. Në fakt duhet të jenë tendera që mbrohen nga informacioni për çështje të sigurisë kombëtare. PD pretendon në kallëzimin e saj se, numri një i Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa vartës të saj kanë abuzuar me tenderin pa garë prej 1.5 milionë euro të ushqimit, duke përjashtuar mijëra kompani shqiptare e shpallur fituese në fund të marsit një kompani të huaj e cila nuk ka pasur eksperiencë në këtë sektor .

“Ky tender i realizuar me urgjencë në këtë kohë krize, ku është shpallur fituese pa garë, një kompani kompjuterash, është një aferë e pastër korruptive dhe klienteliste, për shkak se: Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore,”, thuhej në deklaratën e PD.

Kontrata ishte fituar nga kompania “Eurovia” dhe ishte e specializuar për pajisje kompjuterike dhe jo për produkte ushqimore. Një akuzë tjetër për Xhaçkën do ishte dhe çështja e përdorimit të helikopterëve të institucionit për fushatë elektorale. Olta Xhaçka është drejtuese politike e PS-së në Dibër, dhe në filmimet e publikuara nga opozita, shihej ministrja teksa udhëtonte me këto mjete të ushtrisë. Një fluturim sipas opozitës kushton deri në dhjetë mijë euro dhe në këto kohë pandemie mund të shërbenin për të ndihmuar popullatën e prekur nga pandemia.

Pika të raportit

Një çështje kritike janë përjashtimet e shumta të akorduara te sektori i mbrojtjes që mbrojnë disa procedura. Në Shqipëri, Agjencia e Prokurimit Publik nuk ka fuqi për të shqyrtuar me kujdes procedurat e prokurimit të përjashtuara nga proceset standarde nga klauzola të përcaktuara në mënyrë të paqartë.

Në Shqipëri, Azerbajxhan, Hungari, Lituani dhe Polonia nuk ka dispozita të mjaftueshme për mbikëqyrje të jashtme të prokurimeve publike në ministritë e mbrojtjes

Në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes nuk publikon buxhetin e saj por një version shumë të reduktuar nga Ministria e Financave. Ka pak transparencë se çfarë mbulojnë programet dhe nuk ka justifikime për alokimet e bëra.

Në Shqipëri Ligji për Informimin Publik kërkon që Ministria e Mbrojtjes të krijojë programe transparence. Megjithatë, shumica dërrmuese e informacionit ka të bëjë me të dhënat administrative dhe ka pak informacion të shpërndarë për çështjet financiare./Mapo.al/