Bojkoti/ Mesazhet e Vjosa Osmanit që 'tërbuan' Edi Ramën

Në vizitën e parë si Presidente në detyrë e Kosovës në Shqipëri, Vjosa Osmani ka kërkuar mbështetjen e shtetit shqiptar që t’i bashkohet nismës së Kuvendit të Kosovës për të miratuar rezolutën kundër gjenocidit serb. Në ditën e dytë të vizitës së saj në vendin tonë si kryetare e shtetit të Kosovës, Osmani ishte mysafire në seancën e radhës së Parlamentit shqiptar, ku mbajti edhe një fjalim të ndjeshëm dhe me mesazhe për politikën vendase. Ajo dha të paktën 4 mesazhe, teksa fjalimi i saj u bojkotua nga Kryeministri Edi Rama.

Duke vlerësuar kontributin e Shqipërisë për Pavarësinë e Kosovës, Presidentja në detyrë kërkoi që vendi ynë dhe Kosova të vijojnë rrugëtimin drejt Perëndimit si dy motra të kapura përdore. E ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë promotorë të “Shengenit ballkanik”, Osmani kujton se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ende i hapur dhe shton se pranojnë të dialogojnë vetëm për njohje të ndërsjellë. Në këtë kuadër, Osmani u kërkoi politikanëve shqiptarë që të mos punojnë për të shpëtuar fytyrën e Serbisë.

“Askush në trojet shqiptare nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh. Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë”, tha Osmani dhe në vijim kërkoi që Parlamenti shqiptar të votojë rezolutën kundër gjenocidit serb. “Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë”, tha Presidentja në detyrë e Kosovës.

Vjosa Osmani

Jam tepër e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, t’u drejtohem përfaqësuesve të zgjedhur, e nëpërmjet tyre, bashkëkombësve të mi gjithandej botës! Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës të mund ta bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, i cili i ka dhënë aq shumë kulturës e qytetërimit perëndimor. Është, pra, nder i madh për mua t’ju drejtohem dhe t’ju flas sikur i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, por së cilës i ka dhuruar dhe nga e cila ka marrë aq shumë dashuri.

Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E megjithatë, ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë! Të dashur qytetarë! Sot, kur unë gjendem para jush, hapësira kulturore shqiptare po funksionon, lidhjet shpirtërore, për shkak të rrënjëve etnike, po thellohen dhe komunikimi ynë po na ofron më shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, janë shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës dhe duke dhënë e marrë me njëra tjetrën në procesin e integrimeve europiane, duke e njohur dhe respektuar njëra-tjetrën. Por, sot, kur unë jam para jush duhet ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, mundin e sakrificën e brezave për këtë ditë. Duhet të kujtojmë se këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë, gjaku i derdhur i mbi 13.000 të vrarëve, shumica nga ta gra, pleq e fëmijë, nga të cilët mbi 1.600 ende të pagjetur dhe i mbi 1.133 fëmijëve, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, emrat e të cilëve qëndrojnë në themelet e pavarësisë sonë. Prandaj, sot e këtu, sikur kurdoherë, do të flas me këtë zë dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, sikur është gjithë historia jonë kombëtare, të mbahet në mend e të rikujtohet. Sepse, duke e rikujtuar atë, ne ia njohim vlerën dhe bëhemi më të urtë në vendimet tona.

Të dashura deputete e deputetë!

Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah. Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit.

Të dashur qytetarë! Si Kryetare e Kuvendit të Kosovës, si e para grua në këtë detyrë, dhe si Presidente në detyrë e Republikës, unë dua t’i thërras sidomos të rinjtë e vendeve tona, e sidomos vajzat e gratë e këtij vendi që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen: të mos dorëzohen para asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre. Një ditë ato do të jenë aty ku duan dhe ku e meritojnë, në majat më të larta të profesioneve të tyre, të politikës e të bizneseve. Sepse sikurse çdo shtet tjetër, edhe Kosova e Shqipëria do të kenë sukses vetëm atëherë kur të shfrytëzojnë edhe potencialin e 50% të popullatës së tyre, që e përbëjnë gratë. Të rinjtë tanë, në Kosovë dhe në Shqipëri, janë kapitali ynë më i çmuar. Ata janë ambasadorët tanë në botë, me të cilët po krenohemi çdo ditë e më shumë. Andaj, është obligimi ynë që çdo gjë që bëjmë sot, ta bëjmë në mënyrë të tillë që atyre t’u garantojmë një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese. Prandaj, ftoj përfaqësuesit politikë, ata që sot janë në këtë dhomë, sikur edhe ata që janë jashtë saj, që ta kultivojnë këtë besim. Si të përzgjedhur të popullit, ata duhet të kujdesen që vullneti i tyre të realizohet, që Shqipëria të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet në pikëpamje politike, kulturore a religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, që qëndrimet e ndryshme, edhe në këtë kuvend, ta nxisin kultivimin e mëtejmë të frymës së demokracisë. Është thelbësore që institucionet tona dhe politikëbërësit të studiojnë dhe vlerësojnë mesazhin që u dërgohet nga qytetarët dhe të jenë të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë.

Dialogu me Serbinë

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë të Shqipërisë sonë! Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës.

Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë.

Rezoluta

Askush në trojet shqiptare nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh. Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tona që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të japë akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim. E kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra-tjetrën. Ky kapitull po ashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën antishqiptare dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet. Ky kapitull po ashtu na mëson, se rinia brilante shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, e çdo kund tjetër, e mërgata jonë e jashtëzakonshme, janë potenciali ynë më i madh.

Detyra jonë është të punojmë, që ata vendin e tyre ta shohin si vend që nuk e meriton braktisjen, por si vend që e meriton gjithë kontributin e dashurinë e tyre. Prandaj të punojmë bashkë të gjithë, që si dy shtete sovrane, me dy flamuj por me një shpirt që nuk ka mundur askush ta mposhtë ndonjëherë, të dëshmojmë para botës mbarë, se  ne, ilirët e lashtë e europianët më të rinj, populli më paqedashës, me pro-europian e më pro-amerikan në botë, mund dhe do t’ia dalë. T’i kthejmë dallimet tona në forcë për të shtyrë shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimeve europiane, vendosja e çfarëdo barriere komunikimi në mes të dyja vendeve tona është kundrejt frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë! Eruditi ynë i madh, Konica, e përmbledh më së miri këtë në një tekst të korrikut të vitit 1898 në revistën “Abania”. “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, kishte thënë Konica.

Prandaj, ju ftoj që të punojmë që edhe flamuri i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, për të cilin u bë luftë e drejtë çlirimtare, të valojë në Kombet e Bashkuara e në NATO, krahas atij të Shqipërisë, e të ecim me hapa të sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Zonja dhe zotërinj deputetë, Bashkëkombës të dashur, Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra-mijëra familjeve shqiptare. Por le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë “jo” regjimeve të dhunshme, udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur. Në fund, më lejoni t’ju falënderoj sërish për mikpritjen, në shtëpinë tonë të përbashkët dhe t’ju ritheksoj, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës gjithë dashurinë që ndiejmë për Shqipërinë, për motrat e vëllezërit shqiptarë dhe gatishmërinë tonë që me vullnet e me punë t’i çojmë përpara dy shtetet tona.