Avdullah Hoti shkarkon shefin e spiunëve

Kreshnik Gashi nuk do të jetë më drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Rreth një vit pas emërimit të tij, ai është shkarkuar në kryeministri I Kosovës Avdullah Hoti.

Më 25 nëntor të vitit 2019, Kreshnik Gashi ishte emëruar në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë përmes një bashkëpunimi ndërmjet atëherë kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi. Ndonëse jo në një nivel të tillë, edhe para se të emërohej në krye të inteligjencës, Gashi kishte mbajtur pozita të larta institucionale në sektorin publik, shkruan Gazeta Express.

Nga fillimi i vitit 2016, ka qenë kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë së cilës kohë Kosova ka marrë kodin e telefonisë 383 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve. Ai ka udhëhequr ekipin profesional teknik në dialogun e Brukselit.

Para se të zgjidhej në krye të bordit të ARKEP ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Më herët ka qenë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil si dhe më parë e ka udhëhequr komisionin e përhershëm qeveritar për sigurinë e hetimeve të aviacionit pranë Zyrës së Kryeministrit.

Ai ka pasur përvojë edhe në konsulenca për komisione ndërqeveritare në analiza dhe projekte të pjesëmarrjes së sektorit privat në atë publik. Ka punuar edhe si ekspert i qeverisjes lokale në projekte të BE-së. Gashi ka menaxhuar disa projekte private në fushën e teknologjisë informative.

Ish-shefi i AKI-së ka marrë pjesë në shumë forume, konferenca dhe takime të nivelit ndërkombëtar, si takimi i parë i të rinjve udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë, organizuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Instituti Amerikan për Paqe, pjesëmarrës në forumin e të rinjve të Evropës dhe Azisë, etj.

Ai kishte studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe kishte magjistruar në Universitetin Cranfield në Britaninë e Madhe.

Emërimi i Gashit në krye të inteligjencës së shtetit kishte ardhur pak ditë pasi Ramush Haradinaj kishte pranuar dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e njëjtë. Haradinaj kishte pohuar se Maxhuni ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.