Misteri i vrasjes së Anton Kelit në Rrëshen, pronari i marketit: Nuk u dëgjuan krisma

Policia ka shoqëruar disa persona në lidhje me vrasjen e 51-vjeçarit Anton Keli pasditen e së martës në Rrëshen, por ende nuk ka asnjë person të ndaluar si autor i dyshuar i këtij krimi të rëndë.

Të shoqëruarit janë marrë në pyetje si persona që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes dhe më pas janë lënë të lirë. Sipas burimeve, dëshmitë e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për zbardhjen e këtij krimi, ndërsa nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se viktima është qëlluar me armë zjarri automatik të llojit “Skorpions” dhe tre nga plumbat e kanë prekur në trup 51-vjeçarin.

Atentatorët dyshohet se i kanë ndjekur lëvizjet e shënjestrës së tyre dhe e kanë pritur pikërisht në lagjen ku ai banonte. Sapo ka zbritur nga automjeti dhe ka lëvizur rreth 10 metra drejt hyrjes së pallatit, 51-vjeçari është qëlluar me armë zjarri. Në momentin kur është përballur me të shtënat, Keli është kthyer dhe ka ecur rreth 100 metra, duke kërkuar ndihmë te një market aty pranë.

Por sapo është ulur në karrige, ka humbur ndjenjat. Në ato momente pronari i marketit ka njoftuar spitalin dhe Policinë për një person të plagosur. Këta të fundit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë marrë 51-vjeçarin dhe e kanë dërguar në Spitalin e Rrëshenit, por pa mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.

Vendi i ngjarjes

Në vendin ku ka ndodhur krimi ka qenë errësirë dhe nuk ka pasur kamera sigurie, por mendohet se autorët të kenë qenë dy ose tre persona dhe e kanë pritur viktimën në vendin e ngjarjes. Ata kanë qëlluar në drejtim të tij e më pas janë larguar me një automjet pa lënë gjurmë.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve për të parë lëvizjet para dhe pas ngjarjes me qëllim identifikimin e makinës që kanë përdorur atentatorët. Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 6 gëzhoja automatiku, të cilat do të analizohen në laboratorin e Policisë së Shtetit. Edhe gjatë ditës së mërkurë, në Rrëshen ka pasur prani të madhe të forcave të Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin të gjithë zonën për të rënë në gjurmët e autorëve.

Anton Keli nuk rezulton të jetë person me precedent penal, por duke qenë se është i afërm i familjes Gjini, pista kryesore e hetimit është përqendruar te hasmëria, por pa përjashtuar ndonjë konflikt që mund të ketë pasur vetë viktima më ndonjë person.

Ai jetonte bashkë me nënën e tij në një apartament në qytetin e Rrëshenit, ndërsa gruan dhe tre fëmijët i kishte prej disa kohësh në Gjermani. Nga ana tjetër, përmes avokatit të tyre, familja Reçi ka mohuar kategorikisht që të ketë lidhje me këtë ngjarje dhe se ia ka lënë në dorë drejtësisë zbardhjen e vrasjes së dy djemve të familjes së tyre, Gasper dhe Kastriot Reçi.

Fqinjët

Fqinjë dhe banorë të lagjes ku jetonte viktima janë shprehur se ai ishte njeri i komunikueshëm dhe pa probleme, teksa shtojnë se nuk i kanë dëgjuar të shtënat. “Kemi respekt. Ka qenë i komunikueshëm me njerëzit, i sjellshëm, ka qenë komunikues me të gjithë. Këtu ka qenë me nënën e tij, familjen e kishte në Gjermani, ka një periudhë kohe, punë muajsh. Ka pasur një biznes, me sa di”, tha një prej banorëve.

Pronari i marketit: Nuk u dëgjuan krisma

Pronari i marketit ku shkoi viktima menjëherë pasi e qëlluan me armë, ka treguar se çfarë ka biseduar me të. Sipas tij, Anton Keli ka shkuar aty i plagosur, duke i njoftuar se ishte plagosur te makina dhe se ka rënë më pas pa ndjenja. Petrit Reçi ka treguar më tej se momentin kur ka ndodhur ngjarja nuk janë dëgjuar të shtëna armësh.

Ku ishit juve kur erdhi Antoni?

Unë po rrija te supermarketi, vjen Antoni me shpejtësi. I them si je, më thotë mirë, jam plagosur. “Si je plagos”, i them. Këtu te makina më tha. Nuk ka folur asnjë fjalë më shumë, më tha vetëm “jam plagosur te makina”.

Më pas çfarë bëri?

Erdhi hyri në dyqan, u ul në stol dhe shkova për ta parë se ku e ka marrë plagën dhe aty ra pa ndjenja dhe nuk ka folur më. Një plumb i ra nga trupi në tokë. Nuk kishte as makinë këtu në ato momente për ta dërguar në spital, por njoftova Policinë. Policia njoftoi ambulancën, erdhi ambulanca dhe e çoi në spital. Nuk kishte asnjë dijeni si ka ndodhur dhe ku ka ndodhur ngjarja.

A dëgjuat krisma apo zhurmë?

Nuk kam dëgjuar fare krisma dhe as zhurmë. Vetëm kam parë që ai erdhi me vrap te dyqani im me plagë në trup. Nuk e kam kuptuar fare se çfarë kishte ndodhur. Ai ka qenë njeri i qetë. Kishte një foristradë dhe shumicën e kohës punonte si taksist.

A ju kanë marrë në pyetje Policia?

Po, ka ardhur Policia, më kanë shoqëruar dhe kam thënë këtë që po ju them dhe juve. Kanë marrë dhe pamjet e kamerave të dyqanit dhe shpresoj të zbardhet ngjarja, pasi është diçka shumë e rëndë./Panorama/