Mbërrijnë në Presidencë emrat e dy ministrave të rinj

Mëngjesin e sotëm, kanë mbërritur në Institucionin e Presidentit të Republikës emrat e dy ministrave të rinj, me propozim të kryeministrit Rama, të cilët kërkojnë miratimin e Kreut të Shtetit për të marrë detyrën.

Bëhet fjalë për Ministrin Bledi Çuçi, i cili është propozuar nga kreu i qeverisë për të marrë postin e Ministrit të Brendshëm, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt, si edhe Milva Ekonomi, e cila propozohet të marrë detyrën e Ministres së Bujqësisë, në vend të Bledi Çuçit.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Ekonomi tha se është ndjen përgjegjësi e madhe, ndonëse evidentoi reformën në mbështetje të fermerëve. Sa i përket dekretimit nga kreu i shtetit, Ekonomi tha se mbetet në pritje.

Ndryshimet në qeveri, erdhën pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë, në rrugicën pranë banesës së tij, si edhe protestat që pasuan ngjarjen. Kryeministri Rama njoftoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndërsa një ditë më parë me një mesazh në twitter njoftoi emrat e rinj në kabinetin që ai drejton.