Conte i gëzohet fitores së Interit: Kundër Napolit vlen dyfish

Interi arriti një fitore të vuajtur në shtëpi, përballë Napolit, që është dhe një ndër skuadrat rivale këtë sezon për titullin kampion.

Ishte Lukaku ai që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhuruar 3 pikë të arta zikaltërve.

Gjithsesi edhe pse me një lojtar më shumë për afro 20 minuta, Interi vuajti jo pak në fundin e ndeshje, pasi miqtë i shkuan shumë pranë golit të barazimit.

Në lidhje me këtë përballje foli edhe trajneri i zikaltërve, Antonio Conte, i cili në deklaratën pas ndeshjes për “Sky Sport” u shpreh:

“Një fitore në një përballje të vështirë, që mund të na bëjë mirë në vazhdimësinë e kampionatit. Nuk ishte një ndeshje e shkëlqyeshme, por pikët janë tepër të rëndësishme përballë një ekipi ambicioz si Napoli, që gjithmonë është protagonist në kampionat. Në të tilla përballje pikët vlejnë dyfish.

Skuadra e ndjeu rëndësinë dhe peshën e ndeshjes. Ne e dinim që fitimi i saj nuk do të ishte i lehtë dhe në fund ishim me fat. Këto lloj fitoreje janë të rëndësishme për rritjen mendore. Ekipi duhet të mësohet të vuajë dhe të jetojë këto situata”, deklaroi Conte.