Si i ‘shkau’ dje gjuha Ramës për ministrin? Kodi për Bledi Çuçin

Si pasojë e protestave në kryeqytet për vrasjen e Klodian Rashës nga policia, gjashtë ditë nga dorëheqja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, kreu i qeverisë Edi Rama theu sot heshtjen.

Rama dërgoi për dekretim te presidenti emrin e Bledi Çuçit si Ministër i Brendshëm.

Deri më sot, ky ishte një emër prej atyre që nuk ishin përfolur për marrjen e këtij posti.

Përgjatë kësaj jave, vetë ministrat e kabinetit ia lanë në dorë shefit të qeverisë të japë një emër pikërisht ditën e sotme, pas disa konsultimeve që nisën me vizitën e Ramës në zyrën e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Por një ditë më parë në deklaratën e tij për mediat, Rama foli mes rreshtash për emrin e Çuçit teksa iu përgjigj aludimeve për daljet e tij nëpër rrugët e Nju Jorkut.

“Nuk më keni parë mua as te Guçi as te Çuçi”, tha Rama, duke vijuar sqarimin e tij.

Çfarë tha Rama dje: E për pazarin tim meqë më keni parë duke bërë pazar në Amerikë. Ne kemi shkuar në Nju Jork tre ditë përpara takimit sepse rregulli i Nju Jorkut është karantinimi tre ditë para se të dalësh dhe të bësh çfarë ke për të bërë atje. Me mirëkuptimin e tyre nuk kemi qenë komplet të burgosur në Hotel. Por nuk më keni parë mua as te Guçi as te Çuçi. Më kanë bërë një fotografi në një dyqan bojërash kancelarie. Dhe sa për dijeni edhe sikur të isha në një dyqan tjetër nuk do të ishte ndonjë krim por që ta dish ti me këtë rast, unë kur shkoj jashtë nëse blej ndonjë gjë janë bojëra.