Vrasja e Klodianit/ Prokuroria: Kemi provën kryesore, mister mbetet...

Prokuroria e Tiranes konkretizon akuzën penale për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj.

Sipas prokurorisë, akuza që rëndon ndaj Hajdarajt është “Vrasje me dashje” në dëm të viktimës Klodian Rasha.

“Kemi siguruar provën kryesore, pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë. Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes se Klodian Rashës, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimës,” thekson prokuroria.

Mësohet se filmimi ka zbuluar se Klodian Rasha është qëlluar nga polici teksa ishte duke u larguar me vrap në rrugicën që të çon drejt banesës së viktimës. Polici ka marrë pozicionim për të qëlluar dhe ka hapur zjarr dy herë me armën e shërbimit.

Akuza që do rikualifikohet do ngrihet për shkak se polici pasi e gjuajti njëherë, ka vazhduar të gjuajë sërish. Mësohet se viktimën e  kapi një plumb që i shkaktoi vdekjen, ndërsa predha tjetër e plumbit ka kapur pjesën e jashtme të servisit që ishte në rrugicën ku po vraponte Klodian Rasha.

Vijon të mbetet mister se kujt personi i përket arma e zjarrit e deklaruar si e Rashës fillimisht nga policia dhe në çfarë rrethanash u gjet larg vendit të vrasjes së Rashës.

Aktualisht është duke u pritur akti i ekspertimit balistik për të parë gjendjen e saj dhe nëse kjo armë është përdorur.

Për ekspertët është bërë i vështirë identifikimi i gjurmëve të gishtave, për shkak se arma ka qëndruar pak kohë në një pellg me ujë.