'Vrasje me dashje'/ Zyrtarizohet akuza për policin Nevaldo Hajdaraj

Prokuroria e Tiranës ka konkretizuar akuzën për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau Klodian Rashën në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor.

"Vrasje me dashje" ka vendosur organi i akuzës për policin, i cili rrezikon deri në 20 vite burg.

Ndërkohë më parë akuza që rëndonte mbi Hajdarajn ishte ajo e "tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes" me anë të së cilës rrezikonte vetëm 7 vite burg.

Prokuroria ka siguruar dhe ka sekuestruar pamjet filmike të subjekteve përreth vendit të ngjarjes të cilat japin një tablo më të qartë të dinamikës së saj. Prokuroria bën me dije se efektivi Nevaldo Hajdaraj ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë drejt Klodian Rashës, njësoj siç ka qenë dhe në dëshminë e efektivit.

Sipas organit të akuzës, Hajdaraj ka shënjestruar drejt trupit të viktimës, ndërkohë që në dëshminë e tij tha se kishte shënjestruar këmbët.

Në filmimet që ka siguruar Prokuroria rezulton se polici e ka qëlluar 2 herë Rashën me armën e shërbimit, teksa ky i fundit ishte duke u larguar me vrap në drejtim të rrugicës që të çon drejt banesës së tij.