VIDEO/ Kampione Europe në Gjimnastikë, Presidenti Meta reagon për suksesin historik të Shqipërisë

Shqipëria arriti një rezultat fantastik në Kampionatin Europian të Gjimnastikës Artistike në Mersin të Turqisë.

Kuqezinjtë, të cilët u përfaqësuan në këtë event nga gjimnasti Matvei Petrov dhe trajneri Alon Hasa, arritën një rezultat të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampionë të Europës.

Për sa i përket gjimnastit Petrov, ai është një sportist rus i pajisur me nënshtetësi shqiptare disa vite më parë.

Suksesin historik të Shqipërisë e ka përshëndetur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke publikuar dhe videon e gjimnastit rus që nderoi ngjyrat kuqezi.

“Urime të përzemërta atletit tonë, Matvei Petrov, për shpalljen e Shqipërisë, për herë të parë, Kampione Europe në Gjimnastikë!

Një sukses i merituar dhe një ngjarje e madhe historike për sportin shqiptar, që meriton vlerësimet më të larta!

Le të shërbejë ky rekord, për ringritjen e gjimnastikës tonë, që ka patur një traditë të shkëlqyer.

Urime trajnerit Alon Hasa dhe gjithë atletëve të gjimnastikës për këtë arritje të çmuar, që na bën krenar të gjithëve!”, shkruan Presidenti Meta në postimin e tij.

/ Florian Behlula / Syri.net /