Spartak Koka: Elementi që do i japë përgjigje vrasjes së Klodianit

Gazetari Spartak Koka ishte i ftuari i Adi Krastës në SYRI TV për të komentuar detaje nga vrasja policore e Klodian Rashës.

Sipas tij, policia kishte një nxitim të pajustifikuar për të dhënë informacione për ngjarjen.

“Nuk ka ndodhur që policia të sjellë një komunikatë që në orën 3 të natës.  Komunikata e dytë ishte e mëngjesit në 8, që është gjetur një pistoletë pranë vendit të ngjarjes. Pistoleta është gjetur në krahun tjetër të rrugës, në një rrugicë dytësore që nuk ka lidhje me ngjarjen,” tha Koka.

“Ka njerëz brenda strukturës policore që kanë tentuar të fshehin dhe manipulojnë realitetin. Në rast se provohet se pistoleta është vendosur nga policia, kjo është një vrasje për së dyti,” tha Koka.

“Nëse policia do e pranonte ngjarjen, nuk do e kishim këtë revoltë. Në shumë segmente mediatike proqeveritare u tha se Klodian Rasha po vinte nga Don Bosko. Në kamerat tregohet se djali ka qenë pranë shtëpisë së tij dhe i mbështetur në pemë. Nuk ka pasur as lëvizje të mëparshme".

"Unë kam prova për këtë ngjarje, por kam vendosur të respektoj hetimin. M’u kërkua që të mos publikoj as pamjet e kamerave të sigurisë. Është hera e dytë që ndjej këtë trysni për të mos publikuar fakte reale,” tha ai.

I pyetur se cili do jetë elementi që zbardh ngjarjen, ai tha: “Zbulimi se kush ka vendosur pistoletën do i japë përgjigje të gjithë kazusit për të justifikuar vrasjen”.