Mustafaj: PD duhet të ecë me sloganin ‘me ne fitojnë të gjithë’

Ish-ministri i Jashtëm i PD, Besnik Mustafaj, duke folur në programin e Adi Krastës në SYRI TV, tha se kryeministri Edi Rama e ka humbur kontaktin me realitetin.

“Unë mendoj se Rama sot është krejtësisht i shkëputur nga realiteti. Ai mendon dhe beson fantazinë e tij. Bëri një tentativë për të blerë babain e viktimës. Përdori paratë e buxhetit me idenë e tij se çdo gjë ka një çmim. Provokoi në mënyrë sistematike. Është absurde të provokosh protestuesit,” tha Mustafaj.

Më pas ai komentoi punën e bërë si pjesë e komisionit për përzgjedhjen e kandidaturave në PD. Ai tha se u bë pjesë me besimin se kjo do bëhet traditë.

“Unë u bëra pjesë e një komisioni që mendoj se ishte i drejtë. Unë nuk synoj të marr ndonjë post. Basha më ka pyetur dhe i kam thënë JO,” tha ai.

I pyetur se cili do ishte mesazhi ose slogani që duhet të përdorë PD në fushatë, Mustafaj risolli një slogan të vjetër.

“Unë do i kthehesha një slogani që ka pasur PD: Me ne fitojnë të gjithë. Opozita është sot e vetmja mishëruese e interesave të shqiptarëve.

Nuk njoh ndonjë socialist, dhe njoh shumë, që është i kënaqur nga qeverisja e Edi Ramës,” tha ai.