U vra sonte/ Nipi i ushtarit të Met Kananit erdhi të takonte nënën për festat

Ende nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen e Anton Kelit mbrëmjen e sotme në Rrëshen. Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes.

Disa minuta më pas arritën edhe ekspertët e kriminalistikës për të marrë provat nga vendi i ngjarjes, por autorët duket se kanë qenë profesionistë dhe nuk kanë lënë gjurmë.

“ABC” mëson se Keli kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit për të takuar nënën, pasi gruan dhe fëmijët i kishte jashtë.

Por autorët mesa duket kishin informacion për rikthimin e tij në vendlindje duke bërë skenarin për ta ekzekutuar mbrëmjen e sotme.

Policia e ndihmuar nga FNSH kanë zbarkuar në Rrëshen për të shkuar në gjurmët e autorëve të vrasjes, por deri tani nuk ka asnjë rezultat.

Keli është nipi i vëllezërve Gjini. Armando Gjini i njohur si ushtari i Met Kananit u ekzekutua vitin e shkuar pranë Katedrales së Rrëshenit. Ndërsa të vëllait Preng Gjini iu bë atentat tre muaj më parë në Tiranë (saga e hakmarrjes).