Krimi tronditës: I afërmi i Gjinëve u ekzekutua në sy të familjarëve

51-vjeçarit Anton Keli iu bë atentat këtë të martë në Rrëshen.

Ai u ekzekutua me armë zjarri në orët e pasdites, në sytë e familjarëve, para Katedrales së Rrëshenit.

Ai është qëlluar sapo ka ndaluar makinën dhe ka dashur të futet në një market. Brenda në makinë kanë qenë bashkëshortja dhe fëmijët. Dyshohet se autorët e kanë ruajtur.

Viktima punonte si taksixhi në zonë.

Ai ishte i afërm me Preng Gjinin dhe Tonin Gjinin.

Tonin Gjini u vra në gusht të 2019. 48-vjeçari Gjini është i njohur për drejtësinë si pjesë e grupit të Met Kananit.

Ai ishte arrestuar si pjesë e grupit të baronit të drogës dhe qëndroi në burg për rreth një vit.

Ndërsa Preng Gjinit iu hodh makina në erë në “Vasil Shanto” në Tiranë. Ai mbeti i gjymtuar nga atentati.