Basha: Tre ditë heshtën se Rama besoi se do ta manipulonte, shiti Lleshajn për të shpëtuar lëkurën

Nga konferenca për shtyp e Kryetarit të PD, Lulzim Basha:

Lulzim Basha: “Edi Rama ka dështuar, këtë e ka kuptuar i madh dhe i vogël. Nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe këtë e di çdokush, i pari vetë ai. Ai ka një dhe vetëm një strategji, strategjinë që e ka ndjekur në të gjithë karrierën e tij politike: ta hedhë fajin kudo tjetër, kudo tjetër përveçse tek fajtori I vërtetë. Fajin e ka opozita, fajin e kanë mediat, fajin e kanë qytetarët, të rinjtë që i quan me nofkat më të papranueshme.

Pengu i oligarkëve, tre ditë rrugëve të Nju Jorkut, të avenuve më luksoze të Nju Jorkut , nuk gjeti një minutë kohë për të ngushëlluar familjen e Klodian Rashës dhe tani kthehet ditë për ditë tek vendi i krimit siç kthehet ata që janë bërë pjesë e krimit me indiferencën, me neglizhencën, me poshtërimin e gjakut të viktimës, në tentativën e përditshme për të fajësuar opozitën dhe këdo tjetër për  dështimin e tij dhe të shtetit që ai ka ndërtuar dhe injektuar me brutalitet, arrogancë dhe pandjeshmëri.

Harroni pastaj avancimin drejt BE-së! Të jetë për këtë njeri, edhe një ditë më shumë se 25 prilli po të qëndrojë, rrezikohet edhe lëvizja e lirë. Kërcënimi numër një për harmoninë sociale, guha e tij e dhunës e urrejtjes nxit reagimet më negative tek shqiptarët qoftë të majtë qoftë të djathtë. Asnjë ndjeshmëri për këto akte, përfshirë edhe për vrasjen e 25-vjeçarit pas shpine.

Tre ditë heshtje. Pse heshtje? Sepse besoi se do ta manipulonte edhe këtë ngjarje. Komunikatat e Policisë nuk dalin pa firmën e Drejtorit të Policisë dhe ato komunikata që ju dy ditë radhazi i bëtë publike, u përpoqën të fajësonin viktimën, për të shpëtuar ekzekutorët dhe ndaj heshti Edi Rama derisa zemërata qytetare i erdhi tek dera e zyrës. Dhe njeriu i vërtetë me të cilin përballemi është njeriu që është gati të shesë këdo për të shpëtuar lëkurën e tij, prandaj e shiti Sandër Lleshajn. Jo sepse reflektoi, jo sepse i dhimbsen  dhe po të shkojë pesë herë në ditë në vizitë ngushëllimi në familjen e viktimës tregon sa hipokrit është, sa peng është.