‘Kam disa gjëra në xhep’/ Çfarë fshehin vizitat e Ramës te familja Rasha

Kryeministri Edi Rama, pas një heshtje për vrasjen e Klodian Rashës, arriti të sigurojë një vizitë në familjen e tij, prej nga shprehu ngushëllime për vrasjen.

Deputeti Sadri Abazi ndërmjetësoi për realizimin e kësaj vizite, duke përdorur edhe ‘statusin’ e dibranit.

Por ajo që bie në sy është se Rama e ka vizituar edhe sot këtë familje. Kjo është hera e tretë që Rama shkon te kjo familje, duke ngritur pikëpyetje se përse duhet vizituar kaq shpesh.

Një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se Edi Rama po i jep një zgjidhje kanunore kësaj çeshtje. Berisha tha se Rama po blen gjakun, për shkak se i ka caktuar një pension të posaçëm familjes së Klodian Rashës. Edhe pse Rama ka bërë modifikimet në ligj për të ndërmarrë këtë nismë, sërish Berisha thotë se kjo bie ndesh me shtetin ligjor.

Babai i viktimës deklaroi se përcaktimi i qeverisë se kjo vrasje ishte një aksident, është një vrasje e dytë për të birin.

Në fakt, Rama vazhdimisht ka folur për vdekje dhe asnjëherë për vrasje. Kjo ka bërë që çështja të dalë nga binarët ligjorë.

Mbrëmjen e kaluar, babai i Klodian Rashës tha se ai kërkon vetëm zbatim të ligjit dhe drejtësi. Ai tha se i ka edhe vetë disa gjëra në xhep nëse manipulohet drejtësia.

“Unë kërkoj vetëm drejtësi dhe vetëm ligji. Nëse manipulohen ato mos harrojmë kam bërë dhe unë punën time për aq sa më takon. Ca materiale i kam dhe unë në xhepin tim. Ta dinë të gjithë. Ai është një vend i monitoruar nga 100 kamera, në mos njëra tjetra dhe në qoftë se manipulohet një kamerë apo një tjetër, ca i kam vetë në xhep, ta dinë të gjithë,” tha ai.

Para disa ditësh, xhaxhai i viktimës kërcënoi me gjakmarrje, duke theksuar se janë pesë vëllezër.

E gjitha kjo tregon qartë natyrën e shtetit që është ndërtuar këto dy mandate nga kryeministri Edi Rama. Një shtet ku drejtësia nuk ekziston dhe ligjin e bën më i forti. Një shtet në kufijtë e kanunores.