U dhunua barbarisht nga policia: Kush mban përgjegjësi?!

Vrasja e të riut Klodian Rasha nga policia po pasohet tashmë prej gjashtë ditësh nga dhuna policore mbi protestuesit, fakt që është dëshmuar me pamje filmike. Pikërisht një prej atyre që është hedhur në revoltë pikërisht për pasigurinë e jetës, ka dëshmuar me foto se është një viktimë e radhës e agresivitetit të policisë.

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar të riun në fjalë, si “kryengritësin e pamposhtur”, kur vetë ai nuk resht së ngrituri pyetjen që i rëndon në kokë prej disa ditësh: “Kush mban përgjegjësi për këto që po na ndodhin?!”

“Kryengritësi i pamposhtur denoncon dhunën e egër të ushtruar ndaj tij. Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e kryengritësit guximtar! – shkruan Berisha.

“Përshëndetje dr. Berisha.

 Kam 3 ditë që këmba më është përkeqësuar nga goditjet e policisë në furgon. Kam marrë ilaçe, i kam bërë grafi dhe më kishte plasur gjaku brenda. S’po mundem të lëviz as nëpër shtëpi.

A do të vihet drejtësi ndonjë herë në këtë shtet?! I marrin qytetarët dhe i rrahin, aq më keq edhe minorenët, me ç’të drejtë? Kush mban përgjegjësi për këto që po na ndodhin ne, kush?!”