Familja e kampionëve të shahut në Kosovë

"Queen's Gambit" është bërë seriali më i shikuar në platformën Netflix dhe interesimi për lojën e shahut ka filluar të shtohet në çdo vend të botës.

Debat i madh është hapur edhe nëpër grupet e veçanta në rrjetet sociale si Facebook.

Përderisa fokusi është kthyer kah loja e shahut dhe personazhi i serialit, në Kosovë, është familja Saraçi nga Mitrovica, e cila gjeneratë pas gjenerate ka nxjerrë kampionë të kësaj loje.

Në Express të KTV-së, vëlla e motër, Nderim dhe Ndriçona Saraçi, folën për emocionet, traditën dhe teknikat e kësaj loje.

Nderimi, kampion i shtatëfishtë i shahut, tregoi se aq sa ka lexuar po aq ka mësuar nga familja.

"Është interesant sepse unë lojën e kam mësuar nga gjyshja ime", tha ai.

"Garant janë çdo herë emocion i veçantë, por duhet mu mësu me pranu edhe humbjen. Nuk mund të gënjej, kur kam qenë më i vogël edhe kam qarë, mirëpo me kohë mësohesh ta pranosh edhe humbjen. Në fakt, humbja të bën më të fortë", tha Nderimi.

Ndërsa Ndriçona e cila bëri që të ngrihet flamuri i Kosovës në Gjeorgji, tregoi hollësisht për strategjitë dhe përgatitjet që i duhen.

"Nuk mund të hysh në lojë pa një strategji, të paktën dy tri lëvizje duhet t'i përgatitësh më herët dhe pastaj të futesh në lojë sepse kundërshtari gjithmonë sheh me kujdes veprimet e tua. Para garave bëjmë përgatitje më intensive, dy deri në tri orë, mirëpo jo më shumë sepse duhet të mbahet balanci mes pushimit dhe punës në mënyrë që në garë të jemi në formën e duhur", tha ajo.

Që të dy kanë filluar që në moshë të re të luajnë shah dhe tashmë, krahas profesioneve tjera që kanë zgjedhur në jetë, ata entuziazmohen gjithmonë kur përmendet fjala "shah".