Plagë në kokë dhe në qafë/ Çfarë ndodhi mbrëmë në Vlorë

Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës, pas një konflikti me disa të tjerë. Sipas informacioneve paraprake të Policisë, i plagosur ka mbetur shtetasi Klodian Memokondaj, i cili sipas bluzave të bardha ka marrë plagë afër kokës, në pjesën e qafës.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Policisë, ku kanë gjetur një gëzojë dhe një plumb të paqëlluar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:20 në një lavazh në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë, si pasojë e një konflikti të çastit. Klodian Memokondaj ka dy plagë. Sipas Policisë, është dërguar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Tre persona janë shoqëruar nga uniformat blu, mes tyre punonjës të lavazhit ku ndodhi ngjarja, ndërsa vijon puna për arrestimin e autorit të plagosjes dhe sqarimit të rrethanave.

“Rreth orës 17:20, në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë, si pasojë e një konflikti të çastit është dëmtuar në kokë, dyshohet me një send të fortë , shtetasi K. M., 46 vjeç, banues në Vlorë, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Është ngritur grupi hetimor, i cili vijon veprimet në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, efektivët e Policisë pasi kanë mbledhur provat në vendin e ngjarjes kanë marrë edhe dëshminë e disa personave, të cilët kanë qenë rastësisht momentin kur është qëlluar me armë zjarri. E.N