Si u demaskua mashtrimi i Edi Ramës për Ilir Rusmalin

Kryeministri Edi Rama tentoi sot të justifikojë ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor me faktin se për postin e kryetarit të institucioneve të reja të zgjedhjeve kishte propozuar një ish-ministër të PD-së. Por Ilir Rusmali, i propozuar nga Rama për këtë post, ka qenë prej kohësh një nga bashkëpunëtorët më të afërt të mazhorancës për këto ndryshime. Pak kohë më parë mediat demaskuan se si ndryshimet Kushtetuese ishin përpiluar në kompjuterin e familjes Rusmali

Jo vetëm Kodi i ri Zgjedhor, por në seancën plenare, e cila u zhvillua mes debateve, u votuan edhe emrat e anëtarëve për KQZ-në e re.

Kryeministri Edi Rama tentoi të tregohej bashkëpunues duke deklaruar se për postin e kryekomisionerit kishte propozuar një ish-ministër të Partisë Demokratike, siç ishte Ilir Rusmali

Por ajo që kryeministri duket se la pa përmendur, siç edhe në rastin kur mori pas vetes deputetët e opozitës së re parlamentare, është fakti se Ilir Rusmali dhe bashkëshortja e tij kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë kësaj kohe për llogari të Kuvendit dhe deputetëve për përpilimin e drafteve të Reformës Zgjedhore që sot u miratua në mënyrë të njëanshme duke i dhënë fund konsensusit të 5 qershorit.

Në muajin qershor, disa ditë pasi opozita parlamentare propozoi draftin për ndryshimet kushtetuese, një lajm u bë publik në lidhje me Rusmalin, i cili bënte me dije se eksperti i komisionit është përdorur në fshehtësi nga Edi Rama për të shkruar draftin e deputetëve “rebelë” të opozitës parlamentare, që gjoja kërkonin ndryshimin e sistemit, gjë e cila u vërtetua edhe me votimin e sotëm në seancën plenare.

Kur drafti i propozuar hapet në kompjuter tregon se është punuar nga kompjuteri i familjes Rusmali. Lindita Rusmali është bashkëshortja e ekspertit dhe punon në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe sot krahasimi që bëri kryeministri Rama bie poshtë, pasi hapi i parë për të kryer ndryshimet e njëanshmen kushtetuese u hodh nga kompjuteri i Ilir Rusmalit.