Përgjigje për Karlon që interviston vrasësit, por e ‘bezdis’ Nari

Përgjigjen e Leonard Kokës, vëllait të Lefter Kokës për një lajm të shpërndarë nga mediat e tij, botuesi Karlo Bolino duket se e ka kthyer në personale.

Me anë të një shkrimi të vendosur si kryesor në median e tij, Karlo Bolino ka vendosur të sulmojë jo vetëm Nar Kokën, por edhe SYRI.net që publikoi reagimin e këtij të fundit, pas publikimit të fotove të Ilir Metës nga ReportTv.

Pas këtij sulmi të Karlos, SYRI.net po bën një sqarim të shkurtër në lidhje me akuzat dhe për faktin se ka kërkuar një koment dhe ka marrë një përgjigje nga Nar Koka, të cilin e ka bërë publike pa shtuar dhe pa hequr asnjë presje, por thjesht duke ruajtur etikën për bashkëshorten e Karlos.

Fillimisht i bëjmë të ditur Karlos se, SYRI.net nuk është pronë e askujt tjetër, përveç se e një Fondacioni intelektualësh dhe gazetarësh të regjistruar brenda të gjitha ligjeve dhe rregullave të këtij shteti. Ndryshe nga Karlo Bollino, ky fondacion nuk ushqehet nga taksat e shqiptarëve përmes koncesioneve klienteliste të Edi Ramës.

I bëjmë të ditur Karlos se SYRI.net ka marrë zyrat e tij me qira përmes një kontrate të rregullt, e cila nuk ka asnjë lidhje me Ilir Metën apo ndonjë të afërm të tij. SYRI.net, ndryshe nga mediat e Karlo Bolinos, nuk i ka dhënë askush tokë dhe ndërtesa në mes të Tiranës me qira 1 euro për 20 vite. Për shërbimet që Karlo ka bërë gjithë këto vite, vetëm pak muaj më parë është shpërblyer nga Edi Rama me mijëra metra katrorë tokë dhe ndërtesë në një nga zonat më të kërkuara të Tiranës dhe këto Karlo i ka marrë me 1 euro qira.

Siç e thamë dhe me lart SYRI.net ka kërkuar një koment për videon në fjale dhe ka marrë një përgjigje nga z. Koka, të cilën as e ka shtjelluar as e ka komentuar.

Nuk jemi ne që kemi në dorë përgjigjen e z.Koka, por sigurisht nuk na takon t'i mbyllim gojën askujt, aq më pak të marrim leksione gazetarie nga Karlo Bollino, media e të cilit është një nga mediumet e shquara për intervistat e vrasësve.

Nëse z.Bollino mendon se pas kësaj përgjigje që ka marrë, Nar Kokës i duhen bërë pyetje të tjera, mund t'i vëmë në dispozicion numrin e tij për t'ia adresuar ato vetë.