A është e rrezikuar Shqipëria nga tensionet SHBA-Iran?/ Ja si përgjigjet Basha

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka folur mbrëmjen e sotme për gazetarët nga seli blu.

I pyetur nëse Shqipëria rrezikohet nga tensionet mes SHBA dhe Iranit, Basha është shprehur se vendi ynë është i rreshtuar në krah të vendeve të lirisë dhe NATO-s.

Pyetje: Një pyetje për tensionin SHBA-Iran. Sa e rrezikuar është Shqipëria?

Lulzim Basha: Liria dhe demokracia e vërtetë ka një çmim të lartë. Në kuptimin e brendshëm, shqiptarët po e kuptojnë, e kanë kuptuar tashmë, se pa luftuar për demokracinë ditë për ditë, ajo rrezikon të zhduket nën peshën e një qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar.

Po kështu, liria ka një çmim të lartë ndërkombëtarisht dhe unë jam krenar që si ministër i Jashtëm, kam rreshtuar Shqipërinë krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO-s, dhe besoj fort se kjo aleancë vlerash, mbi të gjitha është një aleancë e lirisë, dinjitetit njerëzor.

Ndaj dua të shpreh edhe njëherë në emrin tim, në emër të PD dhe të në emër të opozitës së bashkuar, qëndrimin tonë të qartë, që e kemi bërë të ditur prej orës së parë të zhvillimit të ngjarjeve, përkrah SHBA, përkrah vlerave të lirisë dhe demokracisë.