VIDEO/ 'Me politikën e dyerve të shqyera në tregti, Mini-Shengeni do të jetë shkatërrim për vendin'

Alban Zusi, Kryetari i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, ka paralajmëruar sot për rreziqet që do t’i kanosen ekonomisë shqiptare nga marrëveshja e Mini-Shengenit, nëse Shqipëria nuk merr masa mbrojtëse për tregti të ndershme midis vendeve që do të përfshihen në të. Deri më sot, Zusi vërejti me keqardhje se Shqipëria ndjek politikën e “dyerve të shqyera” ku hyn e del kushdo si të dojë dhe kur të dojë.

Produktet serbe të qumështit, frutat e perimet, që vërshojnë nga vendet e rajonit në Shqipëri dhe po mbysin prodhimin vendas dhe po shkatërrojnë fermerin shqiptar janë të subvencionuara nga shtetet përkatëse, ndaj është e nevojshme që qeveria shqiptarë të mos lejojë tregtinë e lirë vetëm në njërin kah, por të zbatojë parimin e reciproritetit, mbrojtjes.

Alban Zusi tha: "Qumështi serb është i subvencionuar në Serbi. Po duhet që qeveria jonë ta mbrojë produktin vendas nga produktet që vijnë të subvencionuara.

Ne kemi politikën e dyerve të shqyera ku hyn e del kushdo kur të dojë e si të dojë. Ne nuk respektojmë marrëveshjet ndërkombëtare, të drejtat tona natyrore. Është mungesë dinjiteti të futesh në një marrëdhënie pa parimin e  reciproritetit.

Nëse nga Serbia e Maqedonai vjen qumësht e mish dhe janë produkte të mira, duhet ta pranojmë - duhet të çojmë edhe ne andej. Nuk mund të ketë tregti të lirë vetëm me një kah.

Ka një pretendim nga ana e tyre për sigurinë ushqimore. Qumështi ynë është i mirë se ndryshe ne duhet të kishim vdekur këtu, por ja që ata nuk e dokumentojnë dot. Edhe për perimet e frutat këto na bëjnë “bllok”. Pra, më shumë se një pasiguri ushqimore, kjo është një barrierë tregtare e kamufruar me masa sanitare.

Ne jemi më shumë importues dhe në një marrëdhënie reciproteti, ku duhej të mbyllej kufiri, ata do të dilnin më të humbur se ne.

Në rast se Serbia sjell tek ne 14 mijë tonë produkte blegtorale, ne e shumta do çonim 1 mijë tonë, se s’kemi aq kapacitete. Pra, parimi i reciproritetit.

E dyta, parimi i tarifimit doganor. Në bazë të marrëveshjes CEFTA ne kemi të gjithë të drejtën legjitime të vendosim taskë doganore të barabartë me subvencionin që ai ka vendosur atje, se i bie që fermeri shqiptar nuk po konkuron me fermerin maqedonas, por me qeverinë që e ka subvenconuar. Të sjellësh një produkt të subvenconuar është tregti me hile.

E treta është parimi i kuotave në produkte të caktuara, ku ne konsiderohemi sensitiv. Importi i vezëve ose i mollëve, psh, në kuota të caktuara që të mos dëmtohet tregu vendas.

Në rastin e qumështit serb nuk ka nevojë për kuota, sepse ne kemi nevojë për qumësht dhe në rast se do ta bllokonim, do të cenoim industrinë tonë që ka nevojë. Por ka vend këtu për taksë doganore mbi nivelin e subvencionit. Nëse subvencioni atje është 15 cent, atëherë ne mund të vendosim një taksë 5 cent ose 7 cent.

Nëse ne hapim dyert pa marrë masa mbrojtëse për tregti të drejtë e të ndershme, atëherë Mini-Shengeni është vetëm shkatërrim për vendin tonë.

Nëse qumështi ynë nuk hyn dot në këto vende për shkak të barrierave, atëhërë minimalisht duhet të ngremë barrierat tona. Se ndryshe, atë shkatërrim që s’e bënë shekujt, do ta bëjnë dy-tre marrëveshje.”