Rasti 'Dehari'/ Nëna e Astritit - Thaçit: Kthema pushkën me të cilën ma keni vra djalin

E pranishme në emisionin “Pressing”, në T7, nëna e Astrit Deharit, të riut që humbi jetën në paraburgimin e Prizrenit, ka lëshuar akuza të forta në adresë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit i kishte dërguar një telegram ngushëllimi familjes Dehari, por përgjigja që kishte marrë ishte e prerë:

“Thuaj Hashim Thaçit, pushkën me të cilën ma keni vra djalin, kthema se më duhet!”.

 Këto janë fjalët që ka thënë nëna e të ndjerit, Astrit Dehari, Xhemile Dehari.

Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi ditën e djeshme se do të rikthejë hetimet për rastin e Astrit Deharit pas publikimit të raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, i cili pohon se dyshimet paraprake për vetëvrasje “duken pak të vërteta”.

Astrit Deharit vdiq në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor 2016, ku po mbahej në paraburgim prej më shumë se dy muajsh, rast ky që kishte ngjallur shumë dyshime dhe ishte përcjellë me debate e akuza politike në Kosovë.

Autoritetet e asaj kohe e raportuan vdekjen e tij si vetëvrasje, por pas përgjigjes së Institutit në Zvicër, kryeministri i mandatuar i Kosovës Albin Kurti, familjarët e të ndjerit e opinioni publik kërkojnë rihapje të çështjes.