Safet Gjici sqaron: Rama i ka borxh Kukësit, ja përse mora Duron trajner

Safet Gjici ka folur për herë të parë për marrëveshjen me trajnerin e ri të Kukësit, Shpëtim Duron.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti i klubit verilindor sqaroi vendimet që mori pas eliminimit nga Liga e Europës.

Shumë e thjeshtë, zgjodha Duron pasi është një trajner me eksperiencë. Kam pasur disa kërkesa nga trajnerë për të ardhur te Kukësi dhe të gjithë kanë qenë të mirë, por në fund vendosa për Duron.

Si është e vërteta me Ilir Dajën?

Ilir Daja është një trajner i mirë, ashtu siç edhe ndonjë tjetër që kam biseduar këtë periudhë, por siç e thashë më lart, zgjodha të bashkëpunoja me Duron, pasi besoj te puna e tij.

Janë larguar lojtarë të rëndësishëm, mes tyre edhe Valdet Rama…?

Së pari, dua të sqaroj çështjen e Valdetit. Ai është nën kontratë me Kukësin deri nga mesi i gushtit, por do të negociojmë me të edhe për një vit tjetër. Besoj se do ta gjejmë zgjidhjen me Ramën, sepse Kukësit ai i ka një borxh. Ju e dini që Valdeti e kishte lënë futbollin dhe klubi i Kukësit i dha mundësinë të rikthehet dhe ndoshta edhe për një vit tjetër te Kukësi e merr veten mirë.