VIDEO/ Gol me devijim, Milani e pëson nga Benfica në ‘International Champions Cup’

Milani e mbylli me humbje edhe ndeshjen e dytë në “International Champions Cup”, me shifrat minimale 0-1 ndaj Benficës.

Në shtetin e Bostonit, kuqezinjtë në fakt bënë një paraqitje dinjitoze, duke dalë disa herë rrezikshëm në portën e portugezëve.

Ekipi i Giampaolos pati disa raste mjaft të mira me Borinin, Castillejon, Suson apo Piatek në pjesën e parë, por nuk arritën dot të gjejnë fundin e rrjetës.

Gjithashtu, edhe portieri Donnarumma bëri detyrën, sa herë u provua.

Në pjesën e dytë, Milani provoi sërish, por golin e gjeti Adel Taraabt, në minutën e 70-të.

Ish-milanisti, goditi nga jashtë zone fort me të djathtën, por pas një devijimi të Biglias, topi e gjeti në kundër kohë Reinën, dhe përfundoi në fundin e rrjetës.

Biglia pati mundësi të ndreqë atë gabim, në minutën e 84-t, por pas një gjuajtje nga goditja e dënimit, topi u ndal vetëm nga shtylla.

Deri në fund, nuk pati më episode, dhe Milani u mund sërish me shifrat 0-1, pas humbjes edhe me Bayernin pak ditë më parë.