Rusi i kapur në Tiranë u zbulua nga plagët e luftës kundër Assad-it në Siri !

Rusi me inicialet, R.M, i cili u kap në Tiranë pak ditë më parë për llogari të INTERPOL Moska, ka qenë një luftëtar aktiv kundër qeverisë së Bashar Al Assad në Siri, gjatë luftës së gjatë në këtë vend.

I shpalluri terrorist nga Rusia e cila dihet se është një aleate e fortë e regjimit të Assad, mësohet se nuk ka hyrë fshehurazi në vendin tonë, por nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, në Gjirokastër, së bashku  me një grup azil-kërkuesish që vinte nga Greqia.

Pas 10 muajve qëndrim në Shqipëri, Policia e Shtetit, e arrestoi pas mbërritjes së dokumentacionit nga INTERPOL të premten e kaluar, i akuzuar në vendin e tij për pjesëmarrje në organizatat terroriste dhe si is shpallur në kërkim ndërkombëtarë.

Në një deklaratë të sajën polica, bëri me dije se shtetasi rus, 34 vjec, i identifikuar me inicialet R. M., akuzohet më konkretisht për pjesëmarrje si luftëtar në grupet militante të Shtetit Islamik, kundër Forcave Qeveritare Siriane.

Po sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, shtetasi rus R. M., i lindur dhe rezident në qytetin industrial Norilsk në Rusi – qyteti në botë më pranë Rrethit Polar të Artikut – kishte hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës, në Gjirokastër, me një grup azil-kërkuesish që vinte nga Greqia.

“Shtetasi rus, 34-vjeçar, është larguar nga Rusia për në Siri në qershor të vitit 2013 dhe i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri”, vë në dukje deklarata e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit bën me dije se shtetasi rus R. M. u fut në Shqipëri në tetor 2018 pa asnjë dokument identifikimi. Ai refuzoi të komunikonte me autoritetet e policisë kufitare dhe të intervistohej prej tyre. Shenjat e shumta të plagëve, të shkaktuara nga armë zjarri që u konstatuan në trupin e tij gjatë kontrollit mjekësor rutinë të autoriteteve shqiptare bashkë me heshtjen e tij bënë të lindnin dyshime, se personi i ardhur nga Greqia, me grupin e azil-kërkuesve mund të ishte një person i rrezikshëm.

Pas kësaj ai u morr në mbikëqyrje nga Drejtoria e Antiterrorit dhe Prokuroria për Krime të Rënda, të cilat e transferuan atë me urgjencë në Tiranë, në një prej qendrave pritëse të azil-kërkuesve dhe kërkuan ndihmën e EUROPOL-it për ta identifikuar duke dërguar shenjat e gishtërinjve të tij dhe ADN.

Për rreth 10 muaj, Drejtoria e Anti-Terrorit komunikoi me EUROPOL dhe INTERPOL derisa shtetasi rus me inicialet R.M. u identifikua si i kërkuar nga INTERPOLI në Moskë si luftëtar aktiv me grupin e paligjshëm, të armatosur të Shtetit Islamik.