FOTO/ Kalaja e Himarës mbushet me parulla greke raciste, Rama ‘thyen’ rekorde noti pak më tutje

Muret e Kalasë së Himarës janë mbushur ditët e fundit me grafite murale të cilat nderojnë kujtimin e Konstantinos Kacifas, ekstremistit grek që u ekzekutua një vit më parë nga Policia në Bularat të Gjirokastrës.

Shkrimet në muret e kalasë janë në gjuhën greke dhe përmbajnë thirrje raciste.

Denoncimin është bërë nga aktori, Flori Binaj i cili ka shpërndarë disa foto ku shihen qartë shkrimet raciste.

Persona të paidentifikuar kanë shkruar se si Himara ishte tokë greke apo edhe mbi minoritarin grek të vrarë në Bularat, Konstandinos Kacifas.

“Himara tokë greke që prej 1914” apo edhe “Kacifas i pavdekshëm“-janë disa prej shkrimeve në muret e Kalasë.

"Një turp i madh që në mes të sezonit turistik, askush nuk bën asgjë për të fshirë këto shkrime ofenduese si : Himara është greqi dhe epir, në muret e kalasë së Himarës...Min e Turizmit si je?Nëse shkrime të tilla do bëheshin në Greqi do quhej incident diplomatik...kur bëhen në Shqipëri quhet sezon turistik...TURP!" shkruan aktori krahas fotove.

Dhe më e çuditshmja është që këto shkrime raciste ndodhin pak kilometra nga plazhi ku Edi Rama thyen rekorde në not, ndërkohë që duhet të ketë qenë shumë i zënë aq sa për të mos i vrarë sytë, duke ditur se zotëron mjaftueshëm edhe greqishten për ti lexuar dhe kuptuar përmbajtjen.