Gjoka beson te grupi i Kukësit: Ia dalim ndaj Debrecenit

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, është optimist për ndeshjet e Ligës së Europës me Debrecenin dhe i kënaqur nga grupi që ka në dispozicion.

Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit kuksian, tekniku ka folur për fazën përgatitore dhe kundërshtarin e së enjtes.

Faza përgatitore? “Mendoj që kemi bërë gati disa ditë të mira këtu. Skuadra e kishte shumë të nevojshme ardhjen këtu, pasi kishte ngarkesa shumë të larta fizike. Kemi punuar shumë dhe kemi vrapuar shumë.

I falenderoj lojtarët për gatishmërinë për atë që kanë dhënë. Fati i madh është që nuk kemi pasur asnjë dëmtim dhe grupi është i plotë. Sigurisht që nuk kemi shumë lojtarë, pasi kemi 16, na duhen lojtarë të tjerë cilësorë për të marrë pjesë në Europa Ligë, po tani me sa shikoj nuk mundemi më. Kështu që do bazohemi te ky grup”.

Debreceni? “Është një ndeshje shumë e vështirë, me një nga ekipet më të mira të Hungarisë. Unë jam munduar ta studioj mirë këtë ekip, nëpërmjet video analizave. E njohim shumë mirë kundërshtarin, njohim dhe cilësitë që kanë ata. Njohim anën e mirë dhe anët jo të mira që kanë. Me grupin që kemi do të bëjmë çdo gjë të mundshme gjënë e pamundur ta bëjmë të mundur dhe ta kalojmë me sukses”.