Kupa e Amerikës/ Plasin polemikat për arbitrin e finales Brazil-Peru

Vazhdojnë polemikat përsa i përket gjykimit në Kupën e Amerikës, situatë që u nxeh pas ndeshjes shumë të diskutuar mes Brazilit vendas dhe Argjentinës.

Sikur të mos mjaftonin polemikat për mospërdorimin e VAR në atë ndeshje, shumë pikëpyetje janë ngritur edhe rreth vendimit për të caktuar në finale kilianin Roberto Tobar.

Për shumëkënd duket e çuditshme se si personi i zgjedhur për të arbitruar ndeshjen mes Brazilit dhe Perusë, është një gjyqtar i cili u përjashtua për 8 muaj në vitet 2012-2013, për atë që u njoh si çështja e “klubit të pokerit”.

Shumë gjyqtarë kilianë u zbulua se mblidheshin në mënyrë të fshehtë dhe luanin poker në një shtëpi në Santiago, ndërsa pinin alkool dhe caktonin mes tyre kush do të gjykonte ndeshjet e fundjavës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të Federatës vendase.

Humbësi në këto ndeshje pokeri, të cilat zgjatën për një periudhë kohore prej më shumë se dy vitesh derisa u zbuluan, përfundonte duke drejtuar ndeshjet në provinca apo sa më larg kryeqytetit, në mënyrë që të rikuperonte paratë e humbura me kolegët nëpërmjet dietave të udhëtimit.

Tobar ishte një prej protagonistëve dhe përfundoi i dënuar për disa muaj, duke rrezikuar të mbetej jashtë listave ndërkombëtare.

Megjithatë, ai arriti më pas të kalonte këtë periudhë të errët duke marrë vlerësime në ndeshjet që gjykonte, aq sa vitin e kaluar i besuan edhe një prej dy ndeshjeve finale të Kupës Libertadores mes Boka dhe River.