Një lajm i mirë për shqiptarët që jetojnë në Australi, hapet ambasada!

Më në fund Shqipëria do të ngrejë në nivel ambasade përfaqësimin e saj në Australinë e largët ku gjithsesi jeton një komunitet i madh shqiptarësh që kanë emigruar ndër vite. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në FB. Mësohet se kjo ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm veçanërisht në ofrimin e shërbimeve konsullore, për shqiptarët në Australi dhe jo vetëm.

“Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofrojë afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik. Pra, gjykuar nga rëndësia politike, strategjike, diplomatike e konsullore, hapja e Ambasadës së Shqipërisë në Kanberra të Australisë ka një peshë të patjetërsueshme”, shkruan Cakaj.

Është interesant fakti, se Kosova edhe pse një shtet i ri, përfaqësohet në nivel ambasade në Australi, ndryshe nga Shqipëria deri më tani.