Maliqi: Rama, kjo është Policia që do, jo Policia që duam!

Deputeti Lefter Maliqi e ka sulmuar kryeministrin Edi Rama sot, pas takimit që ai mbajti me drejtues të Policisë së Shtetit bashkë me Ministrin Sandër Lleshaj. Maliqi është treguar i ashpër për qëndrimin me dyfytyra dhe keqpërdorimin e Policisë nga kreu i shtetit, si dje në opozitë edhe sot në qeverisje.

“Turp, - shkruan Maliqi në Fb. - Rama i “Rilindjes” përgëzon Policinë që votuan 100% për votimet e PS, që arrestojnë opozitën, që dhunojnë qytetarët, që shkelin ligjet, ndërkohë që kur ishte në opozitë, e godiste e kërcënonte e dhunonte me çdo mjet në bulevard, para KQZ e kudo.

Policia e depolitizuar me ligj – po vetëm përgjimet e Bild nxorën të paktën 2 drejtues policie në Dibër e Kamëz si besnikë deri në vdekje të PS, që gradohen në vend që të lirohen.

Rama në 2017 - thirrje Policisë “hiqni kapelet dhe votoni Rilindjen”!

Rama, kjo është Policia që do, jo Policia që duam!

Rama, kryepolic, kryeprokuror, kryebashkiak, kryekomandant,  kaloresi s’njeh dështim, s’njeh opozitë, s’njeh ligj, s’njeh Kushtetutë, s’njeh President, bile s’njeh as veten kur humb: “Fitova” thotë,' përfundon me ironi deputeti.