Gjermania këmbëngul: Të zbardhen urgjentisht dosjet 184 e 339

Ambasada gjermane në një njoftim të shpërndarë për mediat apelon të gjitha palët politike në vend që të shmangin dhunën duke e cilësuar si ‘një obligim të veçantë për partitë opozitare’.

Përfaqësia e shtetit gjerman në Tiranë ka kërkuar nga agjencitë kompetente dhe zbardhjen e krimeve elektorale në proceset e shkuara zgjedhore duke nënkuptuar dy dosjet e nxehta 339 dhe 184, pjesë nga të cilat dolën në audiopërgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild.

‘Duke patur parasysh zgjedhjet vendore të ditës së diel, datë 30 qershor, u bëj thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në mënyrë aktive që të pengojnë çdo formë dhune.

Është me rëndësi vendimtare, që zgjedhjet të zhvillohen të lira.

Në këtë kontekst ky është një obligim i veçantë i partive opozitare. Gjermania ka sjellë në Shqipëri vëzhgues, që do të vëzhgojnë proceset në kuadër të misionit të pavarur të OSBE-/ODIHR-it.

Të gjitha palët duhet të tregojnë tani gatishmëri për dialog dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për vendin duke patur parasysh edhe situatën pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Akuzat, që u referohen akteve eventualisht kriminale në kuadrin e zgjedhjeve të shkuara, duhet të sqarohen në mënyrë të menjëhershme nga agjencitë e zbatimit të ligjit sipas legjislaciont në fuqi.

Për sqarimin e çështjeve të së drejtës kushtetuese të mbetura pezull deri më tani rëndësi vendimtare ka rivendosja e shpejtë në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese’, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga ambasada gjermane.