‘Mbroni demokracinë/ Edhe Berati në këmbë: ‘Nuk do lejojmë votime farsë në qytetin tonë’

Pas shumë qyteteve që kanë ngritur Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, sot i është bashkuar kësaj nisme edhe qyteti i Beratit, që në një deklaratë të kësaj Aleance, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Beratit që të mos bëhen pjesë e zgjedhjeve farsë të 30 qershorit.

Si edhe të ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe të demokracisë, të refuzojnë të bëhën pjesë e farsës elektorale që qeveria dhe Edi Rama po përgatit, të bashkëpunojnë me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe jopolike në interes të vetëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Deklarata e Plotë

• Deklaratë e Aleancës Qytetare për Mbrojten e Demokracisë

Berat:

 Ne, qytetarët e Beratit, të bashkuar në një Aleancë për Mbrojtjen e Demokracisë dhe vlerave të saj,

Me dëshirën dhe qëllimin madhor për t`i shërbyer Shqipërisë dhe interesave të saj;

Të shqetësuar për konfliktin social dhe politik në vend, konflikt i cili po precipiton me pasoja të rënda për të ardhmen e Shqipërisë, shqipëtarëve dhe integrimin evropian të tyre si aspiratë madhore e popullit shqiptar në shekuj,

Duke patur parasysh rrethanat e sotme, kur:

- Vendi drejtohet nga një maxhorancë politike e cila është faktuar se ka fituar zgjedhjet nëpërmjet blerjes dhe manipulimit të votës si dhe përdorimit të eksponentëve të krimit të organizuar;

- Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson detyrimin kushtetues të përfaqësimit me 140 deputetë, duke mos përfaqësuar kështu numerikisht elektoratin;

- Sistemi i drejtesisë është tërësisht i paralizuar, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionojnë, ndërsa organet e tjera të këtij sistemi kontrollohen politikisht nga maxhoranca;

- Korrupsioni galopant që po gërryen ekonominë dhe të ardhmen tonë është faktuar të ketë mbështetje të hapur qeveritare;

- Opozita ka braktisur përfundimisht Kuvendin e Shqipërisë, në shenjë protëste përsa më sipër;

-Maxhoranca, për herë të parë pas përmbysjes së regjimit komunist, tenton të shkojë e vetme në zgjedhje moniste, pa asnjë alternativë, duke kontrolluar kështu efektivisht të gjithë pushtetin vendor dhe qëndror në Shqipëri;

-Dekreti i Presidentit i ka anulluar këto zgjedhje pikërtisht për dëmin e pallogaritshëm që do t`i shkaktojë vëndit;

I bën thirrje: 

- Presidentit te Republikës

Të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë që ka në dispozicion për të shpallur sa më parë zgjedhjet përgjithshme parlamentare, të parakohëshme, të drejta dhe të ndershme, si i vetmi instrument politik që i jep zgjidhje kësaj situate të paprecedentë!

- Administratës Publike dhe Zgjedhore, Forcave te Rendit dhe të Sigurisë

Të vendosin Shqipërinë përpara partisë, duke mos u bërë pjesë dhe mbështetje e shkeljes së Kushtetutës dhe Ligjit;

- Qytetarëve të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë

Të ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe të demokracisë, të refuzojnë të bëhën pjesë e farsës elektorale që qeveria dhe Edi Rama po përgatit, të bashkëpunojnë me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe jopolike në interes të vetëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve!