Thaçi me dy fytyra/ Para kamerave kërkon vazhdimin e taksës, pas kuintave kërkon heqjen e saj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po vijon të mbajë qëndrime të dyshimta rreth taksës që Qeveria e Kosovës i ka vendosur mallrave serbe.

Burime të mirëinformuara brenda takimeve që janë mbajtur sot me delegacionin nga Franca e Gjermania kanë thënë për gazetën Kosova Sot, se Presidenti para ndërkombëtarëve ka thënë se do të ishte mirë që taksa të hiqet për t’ia hapur rrugë dialogut, por pas takimeve e ka thënë të kundërtën.

Përmes një paraqitjeje që e pati para mediave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u mundua të tregojë se është i prerë sa i përket vendimit për taksën, e se këtë nuk frikësohet që ta theksojë edhe para delegacioneve të tilla si ai i dërguari sot në Kosovë nga presidenti francez Emannuel Macron e kancelarja Angela Merkel.

Duke folur para gazetarëve për takimin që do të mbahet në Paris më 1 korrik, Thaçi ka theksuar se taksa nuk do të hiqet dhe se Kosova nuk do të pranojë kritere të reja për liberalizim të vizave.

“Dialogu por edhe takimi i Parisit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë pavarësisht disponimit të Vuçiqit. Tarifa nuk do të hiqet. Askush nga BE nuk duhet të lejojë që Beogradi të vërë kushte për takimin e Parisit”, tha para mediave i pari i shtetit.

Por, ky qëndrim i Thaçit për taksën, duket se i tillë ka qenë vetëm para syrit të mediave. Krejt ndryshe, siç mëson  media nga burime mirë të informuara brenda takimit ai është deklaruar para delegacionit gjermano-francez.

“Disa prej liderëve në takime që janë mbajtur me dyer të mbyllura kanë folur ndryshe për taksën se sa që janë deklaruar para mediave. Derisa para gjermanëve dhe francezëve është thënë se taksa duhet të hiqet, do të ishte mirë të hiqej, ndryshe kanë folur para mediave”, thotë ky burim.

Tutje, theksohet se ndërkombëtarët edhe këtë herë patën qëndrim të njëjtë sa i përket taksës, mirëpo, që diskutimet nuk janë mbajtur me tone të larta e se qëndrimi në të gjitha takimet vetëm është përsëritur.

Ky burim shton se delegacioni që sot zbarkoi në Kosovë, kishte për qëllim vetëm mbledhjen e informacioneve, si parapërgatitje e takimeve që do të vijojnë tutje sic është ai në Berlin  ku kryeministri Ramush Haradinaj do të takohet me kancelaren gjermane, dhe në korrik në Paris ku do të shkojë një delegacion i zgjeruar.

Presidenti i Kosovës që një kohë pasi që në Qeveri u vendos për taksën qëndroi i heshtur karshi kësaj mase. Më vonë qe i zëshëm që e njejta të pezullohet, e në Samit të Berlinit u bë e ditur se qëndrimi i tij është që ajo të hiqet.

Në një intervistë ekskluzive https://www.gazetaexpress.com/haradinaj-e-rende-thaci-e-edi-rama-me-benin-me-shume-presion-se-vuciqi-per-ta-hequr-taksen/    që pati dhënë për emisionin Pressing, kryeministri Ramush Haradinaj nga Berlini ishte deklaruar se kishte pasur në samit më shumë presion nga presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për të cilët tha se i kanë bërë presion më shumë se Vuciqi në sy të të gjithëve për të hequr taksën.

Ai madje kishte thënë se për taksën kishin folur në gjuhën angleze dhe në gjuhë të tjera me qëllim që të kuptojë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, si nikoqirë të Samitit të Berlinit.

“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ma së fshtiri ish. Edhe presidenti, edhe Edi Rama më shumë bëjshin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë instonin që me respektu qëndrimin e kancelares dhe Makronit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humb. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, qe e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presdienti Makron”, kishte thënë Haradinaj.

Edhe pas samitit presidenti kishte zgjedhur disa paraqitje për të treguar të kundërtën, derisa që nga atëherë përmes mediave është deklaruar se ka ndryshuar vendim sa i përket masës së 100 për qindëshit për produktet serbe e boshnjake. /KosovaSot