'Në orën 19:00 të gjithë në shesh'/ Duka-Ramës: Pushteti s'mbahet me frikë, je shumë pranë humbjes

Pak para nisjes së protestës së shtatë të opozitës së bashkuar dhe një ditë pas mitingut të PS në Tiranë, ku kryeministri Edi Rama kërcënoi sërish me bllokim të hyrjes në BE dhe SHBA të atyre që prishin zgjedhjet e 30 qershorit, vjen edhe reagimi i kryetarit të Partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Duka shprehet ndër të tjera se, “pushteti nuk mbahet as me frikë, as me kërcënime”.

“Kur ata që futën kriminelët në Parlament dhe në Bashki kërcënojnë qytetarët se nuk do t’u lejohet hyrja në BE dhe në SHBA, kuptojmë sa hipokrite janë këto slogane. Kërkojnë të frikësojnë me burg ata që po protestojnë për mbrojtjen e pluralizmit, por burgun nuk e ka parë asnjë prej atyre që u kapën në krim zgjedhor (sikurse e ka pohuar dhe nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU).

Pushteti nuk mbahet as me frikë, as me kërcënime, por kur kërkon të frikësosh dhe të kërcënosh do të thotë se je shumë pranë humbjes së tij.

Në orën 19:00 të gjithë në shesh!”, shkruan Duka në mesazhin e tij.