Rama anëtarëson ambasadorin Soreca, në radhët e Rilindjes!

Publikimi i mesazheve konfidenciale në telefon mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, ku në gjuhë të huaj denigrohet opozita kanë shkaktuar më shumë se habi, zemërim në opinionin publik.

Ajo bisedë shpjegon qartë, edhe qëndrimet që po mban ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, në lidhje me krizën politike e cila ka përfshirë Shqipërinë.

Opozita dhe një pjesë e medias në Shqipëri, prej kohësh kanë denoncuar faktin se selitë diplomatike në Tiranë, nuk përcjellin realitetin në qendrat e tyre, veçanërisht në Bruksel.

Kjo situatë duket se është vazhdimësi e qëndrimeve të paraardhëses së Soreca, Romana Vlahutin, e cila as që e fshihte se ishte vënë në shërbim total që qeverisjes së Rilindjes dhe kryeministrit Rama, personalisht.

Mesazhet e fundit mes Soreca dhe Ramës, të cilat u shtohen deklaratave dhe pozicionimit të ambasadorit të BE duke mbajtur qartazi në anën e qeverisë, jo vetëm që nuk po i shërbejnë zgjidhjes së krizës politike në vend, por po pasqyrojnë atë si anëtarin më të ri të Rilindjes së Ramës.

Ky perceptim është pasqyruar edhe nëpërmjet një fotomontazhi të publikuar në rrjetet sociale nga Genc Sejko, ku ambasadori Soreca duket i veshur me bluzën e fushatës së Partisë Socialiste, tamam si të ishte anëtar i saj.