Kolaps në gjyqësor, vetëm nga viti 2018 janë bartur 56 mijë çështje!
Dosjet e akumuluara në pritje të gjykimit janë një prej efekteve negative më të dukshme, të shkarkimeve të gjyqtarëve nga Vetting-u.
Ndërsa dihej se rreth 30 mijë prej këtyre dosjeve mbeten pezull në Gjykatën e Lartë, raporti zyrtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018 zbardh se numri real i dosjeve të bartura në sistem është thuajse dy herë më i lartë.
Në raportin e sapo depozituar në Kuvend, KLGJ bën me dije se numri i tyre është mbi 56 mijë, raporton Scan.
Ne Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, rezultojnë 6,709 çështje të mbartura, Gjykatën e Apelit Tirane, numëron 8,271 çështje, Gjykatën e Apelit Administrativ, 12,217 çështje dhe Gjykatën e Larte, 28,863 çështje te mbartura ne vitin 2019.
Të dhënat janë përkeqësuar edhe më tej gjatë vitit 2019, ku raportohet se në Gjykatën e Lartë numri i dosjeve në pritje të shqyrtimit shkon rreth 35 mijë.
Ndërkohë që situata pritet të përkeqësohet edhe më tej, të paktën gjatë muajve në vijim, ndërsa Gjykata e Lartë ka mbetur me vetëm dy anëtarë, ndërkohë që procesi i Vetting-ut vijon sistematikisht të shkarkojë gjyqtarë të tjerë, duke shtuar edhe më tej ngarkesën për ata që mbeten.