Menaxheri i tripletës gati të rikthehet tek Interi

Ish-futbollisti dhe drejtuesi i Interit, Gabriele Oriali, është gati për një rikthim të tretë te zikaltrit, pasi Marotta duket i bindur për ta bashkuar me Antonio Conten, ashtu si te Kombëtarja italiane.

Pasi veshi fanellën zikaltër si futbollist në periudhën 1970-1983, ku fitoi dy tituj kampionë dhe disa Kupa Italie, Oriali mori post drejtues në vitin 1999 dhe qëndroi në role të ndryshme deri në vitin 2010, në një karrierë që kulmoi pikërisht me tripletën.

Megjithatë, bashkë me Jose Mourinhon, në verën e atij viti u largua edhe Oriali, për shkak të ideve të ndryshme që kishte me drejtorin teknik të asaj kohe, Marco Branca.

“As vetë nuk i di arsyet e largimit nga Interi dhe nuk e kam kuptuar se si Moratti u bind nga Branca për të pranuar shkarkimin tim”, deklaroi atëherë Oriali, i cili që prej vitit 2014 mban pozicionin e menaxherit të Kombëtares italiane.

Tashmë akordi për t’iu bashkuar Interit është arritur dhe Oriali do të “vishet zikaltër” për herë të tretë, ndërsa zyrtarizimi pritet vetëm pasi të përfundojnë ndeshjet eliminatore të Euro 2020-ës, më 8 dhe 11 qershor, përballë Greqisë dhe Bosnjës.