Basha reagon pas zgjedhjeve për PE: Forca e qytetarëve në demokraci është vota, asnjë hap pas në betejën tonë

Me përfundimin e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, kreu i PD-së, Lulzim Basha, përmes një postimi në Facebook, uron Partitë Popullore Europiane, të cilat rezultuan forca e parë politike në votime.

Sipas Bashës, “forca e qytetarëve në demokraci është vota, prandaj beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perëndimore dhe për Shqipërinë si gjithë Europa”. 

Në fund të reagimit të tij, Basha shprehet se nuk do të ketë asnjë hap pas në aspiratën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

“Qytetarët europianë, me pjesmarrjen më masive të 20 viteve të fundit në zgjedhjet për Parlamentin Europian, konfirmuan vendosmërinë për të mbrojtur dhe çuar përpara vlerat europiane.

Jam i lumtur që familja jonë politike EPP - European People's Party është konfirmuar forca e parë në parlamentin dhe qeverisjen europiane. Urimet më të përzemërta për presidentin Joseph Daul dhe PPE dhe në veçanti për fushatën e jashtëzakonshme të kandidatit tonë për President të Komisionit Europian Manfred Weber.

Forca e qytetarëve në demokraci është vota, prandaj beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perëndimore dhe për Shqipërinë si gjithë Europa.  Asnjë hap pas! #ShqipëriaSiEuropa #2qershor”, shkruan Basha në postimin e tij.