6 protesta kombëtare/ Çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka ndryshuar në 3 muaj aksioni opozitar?...

Sot në ora 19:00, Opozita e Bashkuar zhvillon para kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestën e gjashtë kombëtare.

Që prej 16 shkurtit, opozita e bashkuar, pas djegies së mandateve parlamentare, e ka zhvilluar aksionin e saj politik në rrugë, sheshe dhe salla takimesh dhe ku kryefjala është “largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie transitore që do e çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.

16 shkurt protesta e parë kombëtare
16 Mars protesta e dytë kombëtare
13 Prill, protesta e tretë kombëtare
11 Maj, protesta e katërt kombëtare
13 Maj protesta e pestë kombëtare
25 Maj protesta e gjashtë kombëtare

Përpos tyre janë zhvilluar gjatë kësaj kohe (16 Shkurt-25 Maj) dhe 4 protesta lokale para parlamentit dhe dy të tjera me bllokimin e rrugëve kombëtare.

Edhe pse këmbëngul që data 30 qershor do të jetë dita kur do të mbahen zgjedhjet lokale pasi këtë gjë, sipas kryeministrit Rama, e imponon kushtetuta, ditët e fundit shefi i mazhorancës ka dërguar disa letra të hapura në adresë të liderit të opozitës, Lulzim Basha, ku kërkon ulje në dialog pa kushte.

Nga ana tjetër, Basha këmbëgul në kërkesat e opozitës së bashkuar, duke vënë theksin te ideja se, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë.

Pa harruar këtu edhe deklaratën e deputetëve të CDU/CSU, të cilët i sygjerojnë politikës shqiptare jo vetëm uljen në dialog, por edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Ndërsa presidenti i Republikës Ilir Meta ka bërë disa herë thirrje për zgjidhje të krizës, duke ofruar edhe mandatin e kreut të shtetit nëse kjo do të ndihmonte palët të kalonin krizën politike që ka kapluar vendin.

Ditët e fundit të majit dhe qershori mbeten vendimtare: A do t[ë zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor? A do të ketë përplasje civile nëse ndodh një gjë e tillë?; A do të ulen palët për të gjetur një zgjidhje dhe a do të krijohen kushtet për votim të lirë e të ndershëm? Të presim e të shohim... /Syri.net