E mbani mend Valbona Çoba, Miss Fotozhenia ’91? Ja ç’bëhet sot me të

Konkursi “Miss Albania ‘91” do të mbahet mend gjatë, sidomos nga brezi i rinisë së atyre viteve. Për një fakt shumë të thjeshtë; vajzat pjesëmarrëse ishin me të vërtetë të bukura. Një ndër to ka qenë edhe Valbona Çoba, e cila u shpall asokohe Miss Fotozhenia. Por çfarë ka ndodhur me vajzën me një bukuri tipike mesdhetare, e cila u martua përpara 9 viteve me një Todd Christopher dhe fluturoi drejt Shteteve të Bashkuara?

Spikerja e njohur e ekranit në vitet ’90 dhe e shumë projekteve të tjera televizive, Ardita Mullai rrëfeu në pasditen e emisionit “Rudina” se mikja e saj sot është nëna e tre fëmijëve; një djali dhe dy binjakëve. Më tej, Mullai tregoi se Valbona është tejet e angazhuar profesionalisht.

“Flas shpesh me të. Vazhdon të punojë shumë. Kohën e ka shumë të ngjeshur, edhe me tre fëmijët. Më thotë shpesh që është përherë duke vrapuar. Nuk kam kohë, thotë, ç’të bëj… Ka dëshirë të vijë në Shqipëri, por duhet edhe pak kohë që fëmijët të rriten e të jenë më të pavarur…”– tha Ardita, e cila nuk ngurroi të kthehej pas në kohë dhe të kujtonte me nostalgji kohën e bukur të kaluar me Valbonën, teksa udhëtonin dhe bënin ture nëpër koncerte.