‘Do krijoj parti çdo muaj’-Iriqi bisedon me Astrit Patozin

Iriqi: - Pse e krijove partinë Bindja?

Patozi: - Hahaha, po pse unë e krijova?! Isha në mbrëmje në një sallë të fshehtë bixhozi, se me ligj i ka mbyll qeveria dhe kur hedh sytë padashur te tv lexoj se Astrit Patozi paska krijuar partinë Bindja Demokratike. Kaq u trondita sa i humba ca duar. Po hyja borxh. Marr në cel Fugën. Ai qeshte. Thuaj që e ke krijuar ti se t’i shlyejmë ne gjithë borxhet që ke, më tha. Pranova menjëherë. Më erdhi fati në derë, mendova.

Iriqi: - Po pse ia vunë emrin Bindja?

Patozi: - Nga që e dinë se unë tashmë jam i bindur ndaj tyre.

Iriqi: - Ndaj kujt?

Patozi: - Ndaj Ramës, mo. Dihet.

Iriqi: - Po pse?

Patozi: - Se ngela rrugëve. Në këtë moshë unë nuk di të bëj asnjë punë. Veç lexim, shoh tv, luaj lloto, poker, pra di si shpenzohen paratë. Më kapi keq situata. Ndaj iu gëzova partisë si shiut në maj që është si vaj, bereqet dmth.

Iriqi: - I harrove hallet?

Patozi: - Kjo puna e partisë është si makineria me pesë figurat që bien njësoj. Rrija zgjuar gjithë natën, por nuk i bëja dot. Tani sa hap gojën, bingo. Dua plot gjëra dhe fap realizohen. Sikur llampa e Aladinit rri në shtëpinë time.

Iriqi: -Po ca firma të dolën false.

Patozi: - False janë të gjitha. Edhe firmën time nuk e kam hedhur unë. Caktoji qeveria një grua me këtë punë e ajo iu fut, fër e fër shkruaj emra e vendos firma. Numrat e kartave të identitetit i kishte qeveria dhe ja Bindja jeton tani.

Iriqi: - Po nuk ndjeve turp nga PD?

Patozi: - Turpi sot është nocion i vdekur. Tani asnjë nuk skuqet as zverdhet. Mjafton të jemi me kuletën plot.

Iriqi: - Në sa bashki do kandidojë Bindja?

Patozi: - Hahaha, po ku di unë se ç’bëhet? Ajo parti ka emrin tim si koordinator, më pas nuk di gjë. Është si ai fëmija që e lind dikush, ama kur e merr për adoptim një familje nënës së vërtetë nuk i japin më asnjë informacion.

Iriq: - Po ti a do bësh fushatë?

Patozi: - Ku ka fushatë sivjet? 61 bashki i merr Rama dhe ja mbaroi filmi.

Iriqi: - Në se do kesh nevojë për të shlyesh ndonjë dorë pokeri a ndonjë shpenzim të përditshëm, si do ia bësh?

Patozi: - Do krijoj parti tjetër. Psh Lindja Demokratike. Se qenka biznes i mirë. As taksa, as sigurime, as qira, as shpenzime, veç fitime. Thashë, që partia është si makineria e kazinove, dalin përherë në ekran pesë figura të njëjta. Dhe kryesorja, të thërresin në çdo tv e të ftojnë nëpër debate. A thua se kam gjë në dorë. Thjesht më erdhi fati dhe u gjenda në vendin e gabuar, ama në kohën e duhur.