Erdhi nga Interi, por në verë nga Juventusi mund të transferohet në Angli

Pas vetëm një sezoni me fanellën e Juventusit, Joao Cancelo duket se do të duhet të mendojë për një tjetër skuadër, veçanërisht nëse në pankinë konfirmohet Massimiliano Allegri, i cili nuk ka shumë konsideratë për portugezin.

Ndonëse e nisi si titullar, Cancelo përfundoi në stol, ndërsa në shumë ndeshje aktivizohej si sulmues krahu, rol të cilin nuk është se e ka pasur të preferuar dhe tashmë Allegri ka dhënë miratimin për largimin e tij në verë.

Destinacioni më i mundshëm duket Anglia, ku Pep Guardiola ka një simpati të veçantë për të, pasi është një nga mbrojtësit anësorë më të mirë në qarkullimin dhe kontrollin e topit, ndaj është gati të paguajë 60 milionë euro në arkat e Juventusit.

Megjithatë përpara se të nisin negociatat, bardhezinjtë do të duhet të ndajnë mendjen për të ardhmen e Allegrit fillimisht, pasi ndryshimi në pankinë, mund të ndryshojë edhe fatin e Joao Cancelos.