Meta shkon për ngushëllim në familjen e majorit Klodian Tanushi

Presidenti Ilir Meta ka shkuar sot për ngushëllim në familjen e majorit Klodian Tanushi, i cili ndërroi jetë në Letoni, pas shpërthimit të një mine. Meta shprehu dhimbjen dhe hidhërimin e madh për humbjen e një ushtaraku me vlera, shembullor dhe patriot.

Majori Tanushi është dëshmori i dytë që ndërron jetë nga shpërthimi i minës. Në vendin e shpërthimit humbi jetën menjëherë kolegia e tij nëntetarja Zarife Hasanaj, e cila u varros me nderime ushtarake, ndërsa majori u plagos rëndë dhe iu nënshtrua disa operacioneve në kokë, por pa mundur të mbijetonte. 

Majori Tanushi ka lënë pas bashkëshorten dhe tri fëmijë të vegjël, dy djem dhe një vajzë foshnjë.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar sot se trupi i  major Klodian Tanushit mbërrin në atdhe të mërkurën dhe homazhet dhe ceremonia ushtarake në nderim të tij do të zhvillohen të enjten në Pallatin e Kongreseve.