Jasir Asani zgjedh mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: Dua të luaj me...

Jasir Asani ishte një nga futbollistët që ka spikatur më shumë këtë sezon te Partizani, duke dhënë një kontribut të çmuar në fitimin e titullit kampion.

Fantazisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut për emisionin “Zona Gol” në Supersport deklaroi se tashmë pasi fitoi titullin kampion me Partizanin, pret një ftesë nga Kombëtarja shqiptare.  

Një titull kampion edhe nën firmën tuaj, pasi keni shënuar më shumë se të gjithë te Partizani…

Jam shumë i lumtur që bëmë një sezon mjaft të mirë dhe u shpallëm kampionë.

Ka qenë titulli një objektiv për ju, kur iu bashkuat Partizanit?

Patjetër dhe e kam thënë që në fillim se Partizani është për titull dhe këtë vit më vjen mirë që ia dolëm.

Do të vijoni te Partizani, apo jeni në pritje të ofertave nga jashtë?

Momentalisht jam lojtar i Partizanit, por kam oferta të cilat po i shqyrtojmë me klubin dhe shumë shpejt besoj do kemi të reja.

Më i vështirë titulli me Vardarin, apo ky me Partizanin?

Pa diskutim që ky me Partizanin, pasi ishte një titull që klubi e priste prej 26 vitesh dhe kjo e bën të veçantë. Te Vardari kemi fituar titullin në një kohë kur skuadra dominonte, ndërsa këtu rivaliteti ishte jashtëzakonisht i madh.

Do luani me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut?

Kam pasur kontakte nga maqedonasit, por dëshira ime, ashtu si dhe e çdo shqiptari, është të vesh fanellën kuqezi. Tani shpresoj të më vijë sa më shpejt një ftesë nga Shqipëria.