VIDEO-LIVE/ Banorët e Astirit marshojnë në këmbë drejt Policisë, kërkojnë lirimin e Klevis Balliut

Pas arrestimit të disa prej banorëve të “Astirit” dhe ish-deputetit Klevis Balliu, protestuesit kanë bllokuar qarkullimin në zonën e Unazës së Re dhe janë nisur në këmbë drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të kërkuar lirimin e të arrestuarve.

Të pranishëm në këtë protestë ishin edhe ish-deputetë të opozitës, ndërsa Albana Vokshi u shpreh: “Klevis Balliu, sot është më i vendosur se dje. të gjithë arrestuarit janë më të fortë dhe më të vendosur se dje. Unë ju falënderoj për rezistencën tuaj, dhe ftoj çdo qytetarë të Shqipërisë që të ngriheni për të rrëzuar këtë qeveri. Provokimi që bëri Rama duke urdhëruar dhunë ndaj grave dhe arrestimin e 4 banorëve, ai ka provokuar edhe Partinë Demokratike. Ne nuk do të heshtim, ne do të protestojmë bashkë me ju”.

Më tej Vokshi u shpreh se “sa më shumë që zgjat qëndrimi i tij në pushtet, aq më i hidhur do të jetë fati i tij, siç ka qenë fati i çdo diktatori”.

Banorët e e Astirit protestojnë prej muajsh kundër prishjes së banesave të tyre që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Ata e quajnë projektin si korruptiv dhe kanë kërkuar anulimin e tij të plotë. Klevis Balliu, është ish-deputeti i PD-së, që ka qenë përkrah banorëve në çdo ditë të protestës së tyre.

 

Save

Share