Analistët për Syri.net Kosova/Thaçi s'ka unitet me veten, e lëre më me Haradinajn

Qëndrimet kundërthënëse mes krerëve të institucioneve të vendit në Samitin e Berlinit, sa i përket, temave aktuale, siç janë taksa dhe dialogu në relacion me Serbinë, kanë vazhduar edhe pas kthimit të delegacionit në vend.

E ku presidenti dhe kryeministri kanë dhënë deklarata të ndryshme sa i përket temave por edhe presionit dhe shantazhit që Haradinajt,  i kanë bërë Thaçi por edhe Rama edhe në prezencën e dy liderëve të fuqishëm evropian, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Por si i shohin njohësit e çështjeve politike në vend, këto qëndrime kontradiktore kur është në pyetje interesi i vendit dhe përfaqësimi i tyre në këtë samit por edhe pas tij.

Dy analistët e njohur politik, Albinot Maloku dhe Blerim Burjani kanë jep vlerësimet e tyre për Syri.net Kosova.

Politologu Albinot Maloku vlerëson se qendrimet kundërthënëse mes presidentit dhe kryeministrit të vendit kanë një histori dhe e njëjta u vazhdua edhe në Samitin e Berlinit. 

“Mosuniteti i lidershipit politik të Kosovës është një kallëzues i mjaftueshëm se sa larg jemi që shteti i Kosovës të marrë një rrugë të mbarë. Është për keqardhje se si presidenti Hashim Thaçi pafytyrësisht po vazhdon me avazin e njejt”, tha Maloku.

Sipas Malokut, kryevepër e pafytyrësisë së kësaj krijese politike në Kosovës ishte ajo çfarë deklaroi pas ardhjes nga Berlini për taksën. 

“Ishte ky që kishte thënë se vendosja e saj ishte teke e individëve dhe fuqishëm kërkonte pezullimin e saj, ndërsa tani thotë se taksa duhet të qëndrojë, e veç kësaj na rikujtoj se gjoja Enver Hoxhaj paska qenë për 10 përqindëshin ndersa kreu i PDK-së, Kadri Veseli për 100 %. Nuk është e çuditshme asgjë më! Tani pas samitit, do të dalë e t’i kritikojë evropianët se na tradhëtuan edhe në këtë samit. Mosunitet nuk ka më veten e vet presidenti e lere më me të tjerët!”, thekson Maloku.

Kurse analisti tjetër politik Blerim Burjani, thotë se jouniteti vazhdon të jetë problemi kryesor kur janë në pyetje interesat shtetërore, ngase ka shumë paqartësi, si luftë politike, pasurim pa bazë, patriotizëm dhe pasurime pa ndalë.

“Tema e dialogut del në radhë të parë dhe pasurimi pa bazë i kësaj klase politike problematike, është të fshehin problemet kryesore të shtetit të Kosovës, zhvillimin ekonomik, funksionimin e rendit juridik, ndaljen e korrupsionit dhe zhvatjes e nepotizmit”, thotë Burjani.

"Kosova problem kryesor ka çështjet e veta të brendshme. Serbia është temë qe mund të zgjidhet kur krijohen rrethana të pranueshme të dyanshme, por më e keqja është korrupsioni, zhavtja e buxhetit dhe ikja e pandalshme e qytetarëve, heqja dorë nga shtetësia e Kosovës e përplot qytetarëve që jetojnë jashë Kosovës”, theksoi Burjani, duke shtuar se kemi telashe serioze që mendja nuk ia merr kujt e ma së paku këtyre njerëzve që merren me patriotizëm dhe pasurim pa bazë.

Sipas tij, qytetarët janë lodhë nga këta njerëz përfitues që luftojnë kush po hyn në histori dhe ku tjetër.

E në Samitin e Berlinit, i cili u mbajt me 29 prill, kryeministri Haradinaj është ankuar se ka pasur presion nga dy liderët sidomos, Thaçi e Rama për pezullimin e taksës, duke theksuar se i vetëm ai edhe para Merkelit, por edhe Macronit ka mbrojtur qëndrimin se Kosova është në rrugë të drejtë dhe iu ka përgjigjur politikave agresive serbe. /Syri.net Kosova