VIDEO/ Opozita e Bashkuar prezanton platformën: Çfarë do të bëjë Qeveria Tranzitore

Partia Demokratike dhe aleatët e Opozitës së Bashkuar prezantuan sot Platformën për Zgjedhjet e Lira e të Ndershme, si detyrë kryesore e qeverisë tranzitore.

Anëtari i kryesisë së PD Oerd Bylykbashi, duke prezantuar Platformën, e vuri theksin tek problemet kryesore që kanë pasur proceset zgjedhore në Shqipëri, procese që kanë ardhur duke u përkeqësuar, që nga zgjedhjet e vitit 2013, veçanërisht në zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2017.

Ai theksoi se procesi zgjedhor kaloi nga vlerësimi prej ODIHR-it në procesin e 2009, se ai arriti shumicën dërrmuese të angazhimeve të OSBE-së, në raportimin e 2017-s, ku ODIHR-i flet për korrupsion dhe shitblerje të zgjedhjeve, duke e renditur rekomandimin për shitblerjen e votës në krye të rekomandimeve të tij.

Duke evidentuar faktin se qeveria dhe Edi Rama s’kanë asnjë vullnet politik për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë e të ndershëm, Oerd Bylykbashi theksoi se vetëm një qeveri tranzitore do ta marrë përsipër një mision të tillë.

Në platformë evidentohen 10 detyra për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke nisur nga goditja me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, tek ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë e deri tek shkëputja e lidhjes së policisë me krimin.